Detaje të reja janë zbuluar nga vetëvrasja e efektives së policisë, pasditen e djeshme në kryeqytet.
“Kur të vish derën po ta lë të hapur, zoti të ruajt”, i ka shkruar policja 28-vjeçarit E. N, i cili është vënë në prangat e policisë. Sipas informacioneve, menjëherë sapo i dashuri e ka gjetur të pajetë 21-vjeçaren, i ka marrë telefonin dhe ka fshirë mesazhet.
I arrestuari dyshohet si shkaktari i vetëvrasjes, për këtë arsye është vënë në pranga. Ndërkohë që dyshohet se ata kanë pasur konflikt normal në çift.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën “Todi Shkurti”, është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj”, njoftoi policia.
21-vjeçarja A. L, efektive në komisariatin nr.5 në Kamëz i dha fund jetës me një plumb në gjoks me armën e shërbimit. Dyshohet se ajo ishte e vetme në shtëpi kur i dha fund jetës, ndërsa është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të hapur derën e banesës së saj.
E reja me origjinë nga Klosi i Mirditës jetonte e vetme në rrugën “Ali Demi” në Tiranë dhe prej një viti e gjysmë punonte në komisariatin nr.5 si patrullë e përgjithshme. Efektivja nuk e kishte babanë, ndërsa la pas nënën dhe një vëlla më të vogël