Policia e e Kosovë ka publikuar disa nga rezultatet dhe arritjeve në vitin 2024.
Policia thekson se viti që po e lëmë pas ishte mjaft sfidues sa i përket situatës së sigurisë, veçanërisht në veri. Por, policia potencon se ky institucion është i gatshëm të përballet me të gjitha rreziqet dhe kërcënimet ndaj rendit publik dhe sigurisë së vendit në përgjithësi.
“Edhe pse viti që po lëmë pas ishte mjaft sfidues për Policinë e Kosovës sa i përket sigurisë në përgjithësi, e në veçanti në veri të vendit, puna angazhimi dhe përkushtimi për ruajtje të rendit kushtetues, vërtetuan se Policia e Kosovës është e gatshme dhe e përgatitur për t’u përballur me të gjitha rreziqet dhe kërcënimet ndaj rendit publik dhe sigurisë së vendit në përgjithësi.
Ndër objektivat dhe detyrat kryesore të PK-së, kanë qenë zbatimi i ligjit në mënyrë efikase dhe efektive, parandalimi dhe luftimi i të gjitha formave të kriminalitetit, mbikëqyrja dhe kontrolli i kufirit shtetëror, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Policia tutje përmend sulmin në Banjskë dhe atë në Zubin Potok, si dhe konfiskimin e një sasie të madhe municoni në bastisjet që pasuan.
Policia thekson se sulmet e tilla kriminale e terroriste në veri të vendit kishin për qëllim cenimin e rendit dhe sigurinë publike si dhe pengimin e zbatimin të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, por arritën të menaxhoheshin me sukses.
“Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti ka qenë e qetë, në përjashtim në veri të vendit, ku situata ka qenë e brishtë dhe e cenuar nga disa sulme kriminale e terroriste, duke veçuar sulmin terrorist ndaj Stacionit Policor në Zveqan, sulmin terrorist në objektin e Komunës së Zveqanit, sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Iber Lepencit në Zubin Potok, si dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake.
Rastet dhe Sulmet e tilla kriminale e terroriste në veri të vendit kishin për qëllim cenimin e rendit dhe sigurinë publike si dhe pengimin e zbatimin të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, mirëpo Policia e Kosovës me vendosmërinë e saj ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrën më profesionale të mundshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.