Policia vazhdon t’i ofroje mbrojtje Shalës e Mehës, edhe pse me mungesë të pjesëtarëve në trafik

E publikuar: 19/07/2017 09:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka pothuajse afro një vit që nga fillimi i operimit të Policisë së Kosovës lidhur me ofrimin e mbrojtjes së nevojshme për  drejtorin Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Mehën si dhe drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shalën.

Janë pikërisht disa pjesëtarë të Policisë të cilët duhet që çdo ditë të jenë pranë shtëpisë së këtyre dy të fundit, në mënyrë që t’u ofrohet siguria e duhur

Por, sipas burimeve të Indeksonline del që Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës te këtë më pak se 40 pjesëtarë të cilët operojnë në zonën e trafikut.

E, sipas po të njëjtit burim e gjithë kjo çështje është duke u zvarritur tash e disa kohë.

Të kontaktuar nga Indeksonline, Policia ka bërë të ditur se është duke vazhduar ende operimi i ofrimit të sigurisë së personave të lartcekur.

“Policia e Kosovës, me njësitet e specializuara të saj, konkretisht përmes njësisë për vlerësimin e kërcënimit apo rrezikut bënë vlerësime të rregullta të sigurisë duke përfshirë edhe vlerësimin e nevojave për mbrojtje dhe siguri të personaliteteve të ndryshme, varësisht prej nevojës dhe vlerësimeve te bëra”, është thënë në një përgjigje nga Zyra e Informimit.

Gjithashtu është shtuar se Policia bazuar në ligj dhe procedura standard të operimit, në pajtim me shkallën e rrezikut/kërcënimit ofron edhe mbrojtjen e nevojshme sipas rezultateve të vlerësimeve profesionale për persona të ndryshëm.

“Ne disa raste sipas vlerësimeve profesionale ofrohet siguri dhe mbikëqyrje permanente ndërsa në disa tjera bëhet ofrim i sigurisë përmes vizitave apo patrullimeve të shtuara nga ekipet policore”, është shtuar nga Zyra për Informim.

Të pyetur lidhur me atë se a ka ndikuar e gjithë kjo në mungesën e pjesëtarëve të Policisë në terren, këta të fundit kanë theksuar se një gjë e tillë nuk ndodhë pasi Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për realizimin e të gjitha detyrave ligjore.

“Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për realizimin e detyrave ligjore dhe arritjen e objektivave kryesore në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe garantimit të sigurisë së përgjithshme”, është përfunduar në përgjigjen e Zyrës për Informim.