Një kallashnikov, karikatorë dhe disa tesha të zeza janë gjetur sot në Badovc, disa metra larg nga vendi ku ditë më parë ishin arrestuar pesë persona të dyshuar për terrorizim.
Por Policia e Kosovës mohon se aty është gjetur edhe eksploziv, siç kishin raportuar disa portale më parë.
“Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton lajmin e publikuar në disa portale se është gjetur eksploziv në afërsi te liqenit të Badovcit. Policia e Kosovës (PK), si vazhdimësi e punës dhe ofrimit të sigurisë, njofton se në orët e pasdites në një lokacion afër Badovcit, ka gjetur një armë me municion dhe disa gjera tjera si rroba, por që nuk kanë të bëjnë me eksplozivin, e as me gjera tjera të dyshuara të kësaj natyre”, ka thënë Baki Kelani, në një përgjigje për Kohavision.
“Andaj PK me qëllim të njoftimit të drejtë të opinionit publik siguron se po punon intenzivisht drejt zbardhjes së rastit dhe ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike”, thuhet më tej në përgjigjen e Kelanit.
Pesë personave që ishin arrestuar më 11 korrik, u ishin gjetur uniforma ushtarake, maska e flamur i ISIS’it. Ndërsa avokatja e njërit prej të dyshuarve kishte thënë se në çantën e tyre ka pasur edhe helm. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.