Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media, ka sqaruar se arrestimi i aktivistit të Vetëvendosjes, që është bërë sot, ka ardhur në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës
Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me deklaratën reaguese dhe shkrimet e publikuara në portale, sot me (15.07.2015), të cilat kanë të bëjnë me arrestimin e një aktivisti të lëvizjes “VETËVENDOSJE”, ju sqaron me sa vijon:
Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria Rajonale në Prishtinë me njësitet e saja policore, ka realizuar një urdhëresë të lëshuar me 14 korrik 2015 nga Gjykata Themelore e Prishtinës, lidhur me shoqërimin e një personi (K. D.) të kërkuar për paraqitje në seancën e shqyrtimit gjyqësor, në gjykatë.
Policia e Kosovës është institucion profesional në realizimin dhe përmbushjen e detyrave konform procedurave të parapara ligjore, duke përfshirë edhe realizimin e urdhëresave të lëshuara nga organet e drejtësisë.
Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, se Policia e Kosovës ka zbatuar urdhëresën e lëshuar nga organet e drejtësisë e cila është njëra nga detyrat e përcaktuara me ligj për Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media nga PK-ja.
Kushtrim Dakaj është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje i cili është arrestuar mëngjesin e sotëm. Lidhur me këtë rast sot ka reaguar edhe VV-ja, e cila kërkoi lirimin e menjëhershëm të Dakajt.