Lirimi i kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt mund të ndodhë vetëm gjatë orëve të mbrëmjes. Në një prononcim për lajmi.net zyra për informim e Policisë së Sllovenisë kanë konfirmuar arrestimin e Haradinajt në bazë të një fletarresti të Interpol-Serbia.
Zyrtari për informim i kësaj policie, Bojan Kos, ka thënë se një shtetas i Kosovës është arrestuar dhe se procesi do të vazhdojë tutje te gjykatësi hetues në Gjykatën e Qarkut në Kranj sot pasdite.
Sipas tij, i gjithë procesi mund të përfundojë vetëm pas përfundimit të procedurave gjyqësore.
“Për arsye të konfidencialitetit të të dhënave personale, ne vetëm mund të konfirmojmë arrestimin e një shtetasi të Kosovës, i cili është i kërkuar nga Interpol Serbia. Personi është arrestuar sot në aeroportin e Lubjanës”.
“Lënda do të shkojë te gjykatësi hetues në Gjykatën e Qarkut sot pasdite për procedura të mëtejshme”, ka thënë Kos.