Policia e Kosovës bëri të ditur se për protestën e paralajmëruar për nesër (9.1.2016) janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ.
Policia e Kosovës theksoi se qëllimi i planit operativ është siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.
Po ashtu, Policia thekson se plani operativ ka për qëllim shtimin e masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës, ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet si dhe parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike etj.
“Si institucion i zbatimit të ligjit PK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. PK-ja njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës apeloi tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike.
“Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Telegrafi/

















