Policia qëllon për vdekje një 25-vjeçar në Tiranë

E publikuar: 08/12/2020 10:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në zonën Laprakës në Tiranë. Aty një 25 vjeçar u qëllua për vdekje nga një polici.

Raportohet se 25 vjeçari nuk iu ishte bindur urdhrit të policisë për tu ndalur, madje ai ishte larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë që si fillim i është dukur si armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha”, rreth orës 01:45.

Duke qenë se rruga ka qenë pa ndriçim, polici e ka qëlluar të riun i cili ka ndërruar jetë në spital.

Nga ana tjetër, efektivi i policisë, me iniciale N.H, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë së Shtetit:

Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.

Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.

Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.