Policia e Shqipërisë tha se e ka respektuar rregulloren gjatë arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta mesditën e sotme.
Policia tha se u imponua ta përdorte forcën për ta nxjerrë atë nga vetura dhe për ta prangosur.
“Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht. Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij, për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë. Meta “ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”. Kjo, sipas njoftimit, erdhi pasi “drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ‘arrest në burg’ dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti”.
Në Partinë e Lirisë, të cilën e udhëheq Meta, e quajtën “akt terrorist” dhe “banditesk” mënyrën e arrestimit të tij, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se e kanë goditur mbas koke.
Meta u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), ndërsa u raportua se po kthehej nga Kosova.
Pas arrestimit, u dërgua fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës e më pas në Bllokun e Sigurisë (qendra ku dërgohen fillimisht të arrestuarit).
Avokati i tij, Genc Gjokutaj tha para gazetarëve se Meta u arrestua nën akuzat për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të pasurisë.
SPAK raportohet se ka kryer një hetim pasuror ndaj Metës.
Meta kishte qëndruar për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme në qershor. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.
Meta ka qenë president, kryeministër, ministër i Jashtëm, ndërsa kishte mbajtur edhe poste të tjera të larta shtetërore në Shqipëri.