Policia njofton për dy plagosje në orët e mbrëmjes në Prishtinë

E publikuar: 28/08/2024 00:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy persona kanë mbetur të lënduar nga armët e zjarrit në orët e mbrëmjes në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i parë është regjistruar rreth orës 19:30.

“Sot rreth orës 19:30, policia ka marrë informatën se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

Zyrtarja për informim nuk dha më shumë detaje për vendin e ngjarjes apo nëse është arrestuar dikush.

U bë e ditur se aktualisht hetuesit policorë të stacionit Veriu në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast i cili është cilësuar si “vrasje në tentativë”.

Ndërkaq, rreth orës 22:40, raportohet të ketë pasur gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Maliq Pashë Gjinovci” në Prishtinë.

Për këtë rast, deri më tani ka një person të dyshuar, që është arrestuar.

Zëdhënësja Ahmeti tha se menjëherë pas marrjes së informatës se policia ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person”, ka thënë Ahmeti.