Marrë parasysh sezonin vjeshtor – numrin e shtuar të traktorëve e makinave bujqësore në trafikun rrugor, rritjen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale, veçanërisht dy rasteve të fundit në zonën e përgjegjësisë së rajonit të Mitrovicës, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona, policia ka shtuar kontrollet në trafikun rrugor.
“Në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve, në vazhdimësi po ndërmerren masa në zbatim të ligjeve të fushës së trafikut rrugor, ku javë më parë Njësia e Trafikut Rajonal ka filluar së zbatuari planin operativ, ku në fokus është ‘kontrolli i traktorëve dhe makinave bujqësore’”, thuhet në komunikatën e policisë së Rajonit të Mitrovicës.
Në mbështetje dhe zbatim të këtij plani operativ, thuhet se do të jenë edhe njësi nga niveli i stacioneve policore.
“Me këtë rast kontroll të shtuar do të ketë në të gjitha rrugët, përfshirë edhe rrugët lokale, për pjesëmarrësit që bien ndesh me rregullat që parasheh ligji në trafik, po shqiptohen masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve. Java që lamë pas nga njësitë në terren për parregullsi në fushën e trafikut janë shqiptuar 19 gjoba për drejtues të traktorëve ndërsa janë larguar nga qarkullimi 35 traktorë”.
















