Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e ka lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në manifestimin e opozitës, i cili do të mbahet sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Por, Haxhiu dhe dy bashkëpartiakët e saj Albin Kurti dhe Faton Topalli, ndaj të cilëve është lëshuar fletë-arrest, mund të arrestohen edhe sot.
Këtë e kanë bërë të ditur Policia e Kosovës. Zëdhënësi i saj Baki Kelani, ndonëse nuk ka precizuar nëse do të arrestohen sot deputetët, në një pronocim për lajmi.net të shtunën, ka thënë se “Të gjitha veprimet do të merren konform autorizimeve ligjore”.
Me këtë ai ka lënë të kuptohet se arrestimi i deputetëve mund të ndodh edhe sot.
Kelani ditë më parë në një deklaratë për lajmi.net i pyetur për arrestimin e deputetëve ndaj të cilëve është lëshuar fletë-arresti, kishte deklaruar se ata do të arrestohen ku do që policia i takon.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit është i obliguar në realizmin e fletë-arresteve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë”.
“Ende janë valide fletë- arrestet dhe, bazuar në të, do t’i kërkojmë dhe në momentin që i takojmë do t’i arrestojmë”, kishte deklaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani për lajmi.net.
E sa i përket manifestimit të sotëm, Kelani ka thënë se policia ka marr të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.