Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë kanë marrë alarmin për sulme dhe rrëmbime të mundshme zyrtarësh policor. Një gjë e tillë raportohet nga disa media, që i referohen informacioneve operative, se grupe që kanë lidhje me atë të Kumanovës, planifikojnë aksione hakmarrëse ose rrëmbime, që pastaj t’i shkëmbejnë me një pjesë të të burgosurve.
Është përcjellë edhe qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Brendshmese policia po monitoron situatën dhe po ndërmerr të gjitha masat parandaluese. Alsat M u përpoq të marrë vesh diçka edhe nga ana tjetër.
Sipas informatave jozyrtare, në lidhje me kërcënimet, Agjencia e inteligjencës është informuar nga ana e shërbimeve mike. Zyrtarisht, kërkuam qëndrim edhe nga Agjencia e inteligjencës mbi pyetjet: nëse kanë indikacione mbi kërcënimin, a kanë lëshuar paralajmërim për të, si dhe në qoftë se kanë bashkëpunim me shërbimet mike mbi çështjen.
Përgjigje nuk na mbërriti. Por gjithashtu nga burime jozyrtare, Alsat M mëson se Agjencia e Inteligjencës është informuar dhe se punonjësit e saj ose një punonjës, janë përfshirë në ngjarjet e Kumanovës.
Kjo informatë është dhënë nga një vend fqinj, dhe në të është theksuar personi SH.M. i Agjencisë, identiteti i të cilit ishte publikuar nga disa media.
Rreth pyetjes nëse punonjës të Agjencisë kanë pasur kontakt me grupin e Kumanovës para ngjarjeve të 9 dhe 10 majit, dhe cili ishte karakteri i tyre, presim përgjigje prej më shumë se 10 ditësh. I përsëritëm pyetjet edhe sot, por pa sukses. Qëndrimi i vetëm zyrtar për çështjen e Agjencisë është se kërkon ndjekjen penale të gazetarëve dhe mediave që e publikuan identitetin e SH.M.
Sot nga Prokuroria publike konfirmuan se denoncimi është marrë në shqyrtim dhe se tani për tani nuk kanë çfarë të njoftojnë.
Për pyetjet e shumta, pa përgjigje rreth ngjarjeve të Kumanovës sot në emisionin 360 shkallë në Alsat M folën edhe kryeredaktorja e revistës Fokus Jadranka Kostova dhe akademiku Abdulmenaf Bexheti. Sipas tyre, është e nevojshme të pastrohen të gjitha dilemat në opinion.
“Nga të gjitha polemikat rreth ngjarjes së Kumanovës ka vetëm një reagim se përse mediat kanë publikuar fotografinë e agjentit që ka kontaktuar me ata. Mirë, unë nuk thash se duhet ashtu apo jo. Por ku është Agjencia për të reaguar në të gjitha dështimet e tjera të cilat kuptohen gjatë gjithë kësaj loje. Pra, ky grup ka ekzistuar më shumë se një vit. Pra, me atë që heshtin dhe nuk përgjigjen nuk e zgjidhin problemin”, tha Jadranka Kostova, redaktore e revistës “Fokus”. /Alsat-M/