Policia kërkon ndihmë për identifikimin e të dyshuarve që sulmuan gazetarin Parim Olluri

E publikuar: 07/11/2017 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka konfirmuar se ka arritur të sigurojë pamjet e të dyshuarve që kishin sulmuar fizikisht gazetarin Parim Olluri, mirëpo kërkon ndihmë për identifikimin e tyre.

“Referuar rastit lëndim trupor, që ka ndodhur me datën 16.08.2017, në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, Policia e Kosovës pas zgjerimit të rrethit të hetimit ka arrit të sigurojë xhirime dhe imazhe ku shihen tre persona të cilët dyshohet të kenë marrë pjesë në rastin e sulmit ndaj gazetarit Parim Olluri. Në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse po kërkojmë përkrahjen e qytetarëve për identifikimin e personave të dyshuar”, thuhet në komunikatën e PK-së.

PK më tutje thotë se, “të gjithë ata që kanë informacion lidhur me personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre i lusim që informacionet e tilla përmes numrit 192, t’ia kalojnë policisë ashtu që të mundësohet kapja e tyre”.