Një vrasje dhe një vetëvrasje dyshohet se ka ndodhur në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Policia e Kosovës, ka konfirmuar për Zërin se viktimat janë një vajzë e moshës 17-vjeçare dhe një burrë i moshës 58-vjeçar.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe dy gëzhoja të fishekëve.
Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi, ka thënë se fqinjët kanë parë nga dritarja trupat e të vdekurve dhe më pas kanë lajmëruar policinë.
“Fqinjët kanë hasur nga dritarja dy trupa brenda shtëpisë, dhe më pas kanë lajmëruar policinë. Janë gjetur dy persona pa shenja jete, kanë dal të gjitha njësitet kompetente në vendin e ngjarës”, ka thënë Gashi për Zeri.info.
Po ashtu Gashi ka bërë të ditur, se disa familjarë të viktimave kanë tentuar të hynë në vendin e ngjarjes pa autorizim, ndërsa pasi nuk janë lejuar nga ana e policisë, kanë sulmuar dy zyrtarë policor që po ruanin vendin e ngjarjes.
“Gjatë asaj kohe, disa familjarë të viktimave kanë tentuar të hynë pa autorizim në vendin e ngjarjes edhe pse ka qenë e rrethuar dhe papritmas i kanë sulmuar edhe zyrtarët policor, ku më pas janë arrestuar katër prej tyre”, ka thënë Gashi.
Me urdhër të prokurorit , trupat e viktimave janë dërguar për obduksion./Zëri/

















