Policia e Kosovës e ka vlerësuar “kryesisht të qetë” natën e Vitit të Ri.
Policia ka thënë se për festën e fundvitit ka hartuar dhe ka zbatuar një urdhër operativ për shtimin e masave të sigurisë dhe pranisë policore në lokacione apo vende ku pritej përqendrim më i madh i qytetarëve.
Pos tyre, në fokus të urdhrit operativ, sipas Policisë ka qenë edhe mbikëqyrja dhe kontrolli në trafikun rrugor, menaxhimi i pikave kufitare dhe Aeroporti.
“Bazuar në raportimet e pranuara nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e vitit të ri, ndërrimi i mot moteve, ka kaluar kryesisht i qetë i përcjellë me disa raste të ndryshme, por fatmirësisht nuk është raportuar ndonjë rast me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike”, thuhet në komunikatë.
Policia ka veçuar disa raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, zjarrvënies, lëndime trupore e armëmbajtje pa leje. Ka thënë se janë iniciuar raste për trajtim dhe kompetencë të mëtejmë ligjore.
Siç u bë e ditur, plot 24 raste janë trajtuar në Klinikën Emergjente si shkak i lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike.
Shefi i Emergjencës, Agron Çitaku bëri të ditur se këto raste janë të moshës mesatare, ndërkaq dy prej tyre janë të moshës së shtyrë.
Para gazetarëve, ai foli edhe për gjendjen e një të lënduari nga shpërthimi i mjeteve piroteknike në Prizren. Sipas tij, gjendja e tij është e rëndë.
“Gjendje shumë e rëndë dhe është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka. Ai fatkeqësisht është gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë shtatë-tetë raste qe janë ndalur në Prizren. Lëndimet kanë qenë të mëdha praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, të kokës dhe fytyrës”, shtoi ai.