Katër qytetarë të Kosovës dyshohet se kanë udhëtuar gjatë këtij viti në drejtim të Turqisë për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS, në Siri.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se shtetasit kosovarë nga shtetet fqinje kanë udhëtuar për në Turqi për të kaluar në Siri, raporton lajmi.net.
“Policia është duke trajtuar informacionin se katër shtetas kosovar nga vendet e treta (shtetet fqinje) kanë udhëtuar për në Turqi. Bazuar në informatat dyshohet se personat kanë si qëllim shkuarjen në zonën e konfliktit në Siri”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për lajmi.net.
Por, autoritetet vendore ende nuk e dinë nëse këta qytetarë të Kosovës, ndodhen në Turqi apo kanë kaluar në Siri.
“Autoritetet përkatëse janë informuar për personat dhe qëllimin e tyre, megjithatë ende nuk është arrit të konfirmohet se personat gjenden në Turqi apo kanë arrit të depërtojnë në zonën e konfliktit”, bënë të ditur policia.
Ditë më parë Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare ka publikuar një raport sipas të cilit gjatë vitit 2016, ka pasur shtim të numrit të kosovarëve që janë nisur drejt Sirisë, për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS.
Sipas këtij raporti më 1,2 dhe 3 shtator është organizuar një udhëtim i një grupi të kosovarëve nga Kosova për në Mali të Zi për tu nisur drejt Sirisë.
Ndryshe që nga fillimi i konflikti në Siri që nisi në vitin 2011, llogaritet se 300 kosovarë i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS, ndërsa afër 50 kanë mbetur të vrarë./ lajmi.net

















