Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare (DRPK) – Lindje ka njoftuar se në zbatim të masave për parandalim
dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar aktivitete dhe kontrollet taktike
të operacioneve policore në terren.
Njësitet e task-forcës operative të DRPK-Lindjes, pas pranimit të informatave nga terreni
për lëvizje të dyshimta (kontrabandë me mallra) në brezin kufitar me Maqedoninë, kanë
ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike duke ngritur prita dhe kontrolle në rrugët e brezit
kufitar dhe rrugët dytësorë të fshatrave të Vitisë.
”Sot, më 14 dhjetor 2022, rreth orës 12:20, në fshatin Debellde, në drejtim të Vitisë është
vërejtur duke qarkulluar një automjet transportues ngjyrë e bardhë me targa vendore. Njësitet
policore kanë arritur ta ndalojnë automjetin të cilin e ngiste një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit
të automjetit, është vërejtur se në të kishte të ngarkuar kafshë të imta (15 dele), të cilat nuk kishin
të vendosura në vesh martikula”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim thuhet se nën dyshimin se i dyshuari ka kryer veprën penale ‘kontrabanda me mallra’, duke sjellë në mënyrë ilegale kafshë nga Maqedonia e Veriut është iniciuar rasti, i cili është duke u trajtuar nga
njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare-Lindje.