Policia e Kosovës konfirmoi se, pasditen e së martës, ndodhën disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.
Më herët, disa media serbe raportuan për dy shpërthime në Zubin Potok dhe tri në Mitrovicën e Veriut.
Policia tha se dyshohet se kishte “shkrepje me armë dhe shpërthime”.
Ajo nuk dha detaje se kush mund të jetë përgjegjës, por tha se “protestuesit” kanë demoluar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara me disa individë të maskuar” kanë sulmuar zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”, me qëllim që të parandalojnë ata të kryejnë detyrat e tyre zyrtare.
“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush”, tha Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.Policia, po ashtu, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar ndihmë asaj rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Të gjitha këto komuna, të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.
Ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe ka udhëhequr komunat në veri – i kundërshton këto zgjedhje.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë konfirmuan për REL-in se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve shkuan të martën në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, “me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare”, por se një gjë e tillë “nuk ka qenë e mundur”.
Anëtarët e KQZ-së mbajtën një mbledhje pasditen e 6 dhjetorit. Anëtarët e këtij institucioni kërkuan që Bashkimi Evropian t’i dërgojnë vërejtje Serbisë, për siç thanë, të “tërheqë grupet” që janë veri.
Ata thanë se zgjedhjet duhet të mbahen ashtu siç janë paraparë, më 18 dhjetor, por zyrtarëve zgjedhorë duhet t’u ofrohet siguri, nga Policia e Kosovës dhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këto zhvillime, por, deri më tash, nuk mori përgjigje.