Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Ndocaj, i njohur si “Kuaboji”, i cili ishte i shoqëruar me shoferin dhe këshilltarin e tij, është sulmuar fizikisht nga disa persona afër një pompe të benzinës në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Policia e Kosovës, në një përgjigje për “Indeksonline”, ka konfirmuar se pas këtij sulmi janë arrestuar dy të dyshuar, njëri shtetas i Shqipërisë kurse tjetri nga Kosova.
Zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha tregon se ka pas një denoncimi, organet e sigurisë kanë ndërmarr veprimet dhe kanë arrestuar të dyshuarit, të cilët kanë sulmuar deputetin e Kuvendit të Shqipërisë.
“Kas pas një denoncim dhe Policia e Kosovës ka dal në vendin e ngjarjes rreth orës 13:50 në Landovicë të Prizrenit në një market”, thotë ai.
Më tej, Berisha shpjegon se eskorta e deputetit është ndalur për t’u furnizuar me ujë ndërsa, e aty janë takuar me dy të dyshuar, njëri nga Prizreni e tjetri nga Kukësi.
“Ka pas një përleshje të vogël. Ne i posedojmë incizimet që i kemi siguruar përmes kamerave të sigurisë. Policia e ka hetuar rastin, janë arrestuar dy të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit të dy iu është caktuar masa e arrestit për 48 orë”, ka treguar ai.
Nga ana tjetër, “Kauboj” socialist në një prononcim për “Top Channel” ka folur për ngjarjen e së shtunës.
“Përgënjeshtroj një lajm që po qarkullon në media, sikur unë jam dhunuar rëndë fizikisht në Kosovë. Jam si kokrra e mollës e nuk kam asnjë lloj shenje dhune. Këtë e konsideroj si sulm të radhës me prapavijë politike”, tha Eduart Ndocaj, deputet i PS-së.
Ndryshe, Ndocaj ndodhej në Kosovë, pasi ka marrë gjatë një ceremonie në Pejë titullin “Politikani i vitit”. Por nga Kosova u largua me më shumë se kaq.