Policia e Kosovës anulon tenderin 1 milion euro për rroba civile për zyrtarët

E publikuar: 20/06/2025 14:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizim me rroba civile për zyrtarët policorë, sipas njoftimit zyrtar të publikuar më 18 qershor 2025.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 1 milion euro, por tenderi është anuluar për shkak të një dispozite në Ligjin për Prokurimin Publik që kërkon anulimin e saj. Vendimi për anulim është marrë më 27 mars 2025, pasi ishte pranuar vetëm një ofertë.

Ky tender ka qenë në shqyrtim në Organ Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja ka aprovuar pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik PI ER TECHNICAL Kft Branch in Kosovo lidhur me anulimin e procedurës së prokurimit “Furnizim me rroba civile për zyrtarët policor”, por ka vendosur që të mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues, Policia së Kosovës për anulimin e tenderit.

Ankesa e operatorit ekonomik, e parashtruar më 11 prill 2025, u shqyrtua nga Paneli Shqyrtues i përbër nga Batisha Ibrahimi, Kimete Gashi-Brajshori dhe Vedat Poterqoi. Pas shqyrtimit, u vendos që operatorit të i kthehet tarifa e ankesës, por vendimi i Policisë së Kosovës, me të cilin ishte anuluar procedura e prokurimit, mbetet i pandryshuar.

Operatori ekonomik kishte pretenduar se ishte eliminuar nga gara për mungesë të disa testeve laboratorike mbi materialin anti-rrudhë. Ata argumentuan se kishin dorëzuar mostra të testuara konform specifikave teknike, por kishte ndodhur një lëshim teknik gjatë ngarkimit të dokumenteve që kishte sjellë mungesën e disa atesteve në ofertë. Sipas tyre, Policia e Kosovës ka pasur mundësi të kërkojë sqarime shtesë për këto mungesa, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.

AK kishte argumentuar se operatori ekonomik nuk i kishte plotësuar kriteret teknike të tenderit, duke mos ofruar atestet e nevojshme laboratorike për secilin artikull, sipas specifikave të parapara. Madje, sipas AK, atestet e dorëzuara me vonesë paraqesin ndryshim material, gjë që nuk lejohet sipas Ligjit për Prokurimin Publik.

Eksperti teknik i angazhuar nga OSHP, pas verifikimit të mostrave në zyrat e Policisë së Kosovës, kishte vlerësuar se materialet e dorëzuara nga operatori ekonomik nuk i përmbushnin plotësisht specifikat teknike të tenderit, duke konstatuar se disa produkte rrudhen lehtësisht, dhe të tjerat vetëm pjesërisht i përmbushin kriteret për rezistencë ndaj rrudhave. Këto vlerësime, të dokumentuara me fotografi dhe teste laboratorike, u mbështetën nga Paneli Shqyrtues.

Ndërsa operatori kishte deklaruar se asnjë material tekstili nuk ekziston që nuk rrudhet asnjëherë, Paneli Shqyrtues theksoi se sqarime të tilla duhej të ishin dhënë para ofertimit, dhe jo pas dorëzimit të dokumentacionit. Po ashtu, u konstatua se testet e dorëzuara me vonesë nuk mund të konsiderohen sqarime, por dokumente të reja.aneli Shqyrtues vlerësoi se vendimi i Policisë për anulimin e aktivitetit të prokurimit ishte i bazuar dhe i drejtë, pasi oferta e vetme e pranuar nuk i përmbushte kriteret teknike, duke mos qenë e përgjegjshme. Prandaj, edhe pse ankesa u aprovua pjesërisht për shkak të kthimit të tarifës, vendimi i Autoritetit Kontraktues mbetet në fuqi.

NJOFTIMI PËR ANULIMIN E AKTIVITETIT TË PROKURIMIT (1) (1)

Vendimi i OSHP (1)