Në ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, bazuar në nevojat operacionale të Policisë së Kosovës për zyrtarë policorë, mbikëqyrës të nivelit të parë, janë graduar 71 zyrtarë policorë në gradën rreshter.
Në këtë numër të zyrtarëve të graduar janë gjithsej 62 zyrtarë policorë të gjinisë mashkullore dhe 9 nga gjinia femërore.
Në ceremoninë e gradimit morën pjesë stafi i lartë drejtues i Policisë së Kosovës në krye me Drejtorin e Përgjithshëm,Shpend Maxhuni dhe përfaqësues të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Drejtori i përgjithshëm i PK-seë, Maxhuni ndër të tjera tha se “Policia e Kosovës është dëshmia kryesore që tregon nivelin profesional, kapacitetet kadrovike, teknike dhe përkushtimin maksimal drejt fuqizimit me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të kriminalitetit, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, mbikëqyrjes dhe sigurisë në komunikacionin rrugor, menaxhimin dhe kontrollimin e kufirit shtetëror, si dhe kryerjen e detyrave të tjera që bëjnë pjesë në kuadër të autorizimeve policore”.
Ndërsa zv.ministri i MPB-se, Nehat Mustafa tha se “Policia e Kosovës me përkushtimin dhe punën e sajë të vazhdueshme ka arritur të jetë njëri ndër institucionet më të besuara në vend dhe për këtë më meritorët janë vet punonjësit e PK-se”.
Gradimit të zyrtarëve policorë i ka paraprirë suksesi që ata kanë treguar në testimet për gradën rreshter në procesin e gradimit të mbajtur më herët dhe përfundimi me sukses i trajnimit “Menaxhimi i Vijës së Parë” në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. /lajmi.net/


















