Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë qenë të ndërlidhur me tre personat që ishin arrestuar në mëngjesin e ditës së shtunë.
Policia bën të ditur se personat janë arrestuar nën dyshimin e bazuar për përfshirje në vepra penale, që sipas Kodit Penal të Kosovës, ndërlidhen me terrorizëm.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente dhe pesë personat e dyshuar, tanimë të arrestuar janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.
Nisur nga këto arrestime, të cilat janë bërë në afërsi të liqenit të Badovcit, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka ndërprerë furnizimin me ujë në disa lagje të kryeqytetit, që në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndërprerja e furnizimit me ujë për qytetarët që furnizohen me ujë nga liqeni i Badovcit, është bërë për shkaqe sigurie.
“Ne kemi bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe pas konfirmimit të arrestimit të atyre personave të dyshuar për vepra terroriste, në afërsi të liqenit të Badovcit, e kemi parë të arsyeshme të ndërpresim furnizimin me ujë”, ka deklaruar Mjeku.
Autoritetet e rendit në Kosovë mëngjesin e së shtunës kishin arrestuar fillimisht tre persona nën dyshimin e bazuar për përfshirje në vepra penale.
Në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka treguar se tre personat e dyshuar janë arrestuar në mëngjesin e ditës së shtunë në magjistralen Prishtinë – Gjilan.
“Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar me dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale. Personat e dyshuar kanë qenë në posedim të dy veturave, njëra Golf 2 ngjyrë të kuqe dhe tjetra Pasat, po ashtu ngjyrë e kuqe”, ka theksuar Kelani.
Personat e dyshuar, ka shtuar ai, janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore.
“Veturat e përfshira në këtë rast janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Njësitë relevante policore të përfshira në këtë rast kanë ndërmarrë me kohë të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka shtuar Kelani.