Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë shitjes së produkteve përmes platformave online, pas evidentimit të rasteve të mashtrimeve përmes vegëzave të dyshimta.
Sipas Policisë, persona të dyshuar kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, paraqiten si blerës të interesuar dhe më pas u dërgojnë linqe mashtruese përmes të cilave kërkojnë të dhënat e kartelave bankare, kinse për realizimin e pagesës.
Në apelin e publikuar më 10 nëntor, Policia ka këshilluar qytetarët që të mos hapin vegëza të dyshimta dhe të mos plotësojnë të dhënat bankare në faqe të dërguara nga persona të panjohur.
Po ashtu, ka rekomanduar që qytetarët të mos ndajnë numrin e kartelës bankare, datën e skadimit, kodin CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo kërkesë për pagesë ta verifikojnë vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës ose platformës përkatëse.
Ndërkaq, në rastet kur kanë dhënë të dhënat bankare në faqe të dyshimta, qytetarët këshillohen që menjëherë të kontaktojnë bankën për bllokimin e kartelës dhe rastin ta raportojnë në Policinë e Kosovës.
Në fund, Policia ka përcjellë edhe një mesazh të rëndësishëm për qytetarët:
“Për të shitur online, nuk keni nevojë të zbuloni të dhënat e kartelës suaj bankare!”
































