Një video e publikuar dje, ku dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës shfaqen duke e rrahur brutalisht Menaxherin e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafën, më 30 dhjetor, ka tronditur opinionin kosovar. Polici Avni Berisha i cili është parë duke e goditur pamëshirshëm Mustafën, është suspenduar. Por, polici tjetër me pozitë të lartë në PK Nazim Sahiti po ashtu i përfshirë në këtë rrahje, ka kaluar pa pasoja. Por kush është Sahiti dhe pse po mbrohet ai nga i gjithë sistemi i sigurisë dhe drejtësisë?
Që të dytë policët e përfshirë në rrahjen brutale të Menaxherit të Telekomit, Agron Mustafës, janë në pozita kyçe të Policisë së Kosovës, njëri drejtor i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, dhe tjetri pjesëtar i njësitit të Antidrogës.
Ky i fundit tashmë është suspenduar nga pozita e tij, ndërkohë që Sahiti vazhdon detyrën e tij, i paprekur nga askush.
Gazeta Express dje ka raportuar se Sahiti i ka shpëtuar suspendimit nga detyra e tij si rezultat i mbrojtjes që po i bënë Inspektorati Policor i Kosovës në krye me Hilmi Mehmetin.
Sipas burimeve të Gazetës, Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilit kishin dalë në vend të ngjarjes ku ndodhi përleshja, kishin konstatuar se të dy zyrtarët policorë, të përfshirë në këtë rast, duhet të suspendoheshin deri në përfundimin e hetimeve.
Por, Kryeshefi i IPK’së Hilmi Mehmeti, përmes një zyrtareje të tij ka ndikuar që kjo letër rekomandimi për suspendimin e Sahitit të mos ekzekutohet.
Për më shumë, Mehmeti i cili derisa po ndodhin këto zhvillime në Drejtorinë e tij, po vazhdon të qëndroj në pushim deri më 15 Janar, është përkujdesur që rastin ta marrë nga hetuesit fillestarë, dhe t’ua kalojë atë disa hetuesve të tjerë.
Për këtë është përzgjedhur Bardhyl Haxhimustafa, i cili së fundi nuk ka ngurruar ta shfaq njëanshmërinë e tij, duke e pëlqyer një status të Deputetit Milaim Zeka, ku ky i fundit e shanë Drejtorin e Valës.

Por përveç këtyre, Nazim Sahiti del se po mbrohet institucionalisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë. Drejtori i Përgjithshëm, Shpend Maxhuni, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për rrahjen brutale që e kryen vartësit e tij. Kjo pasi, sipas informatave të Gazetës Express Sahiti është njeriu më i besueshëm i Maxhunit brenda Policisë. Gazeta Express po ashtu merr vesh se i gjithë procesi i gradimit brenda Policisë së Kosovës që ndodhi gjatë verës së vitit 2017, ishte hapur me qëllim të gradimit të Sahitit, për t’i hapur rrugë emërimit të tij në krye të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike.
Për çudi, ndaj Sahitit po tregohet e kujdesshme edhe Prokuroria në krye me Aleksandër Lumezin. Kodi i procedurës penale i jep të drejtën prokurorit të rastit që nëse e sheh të nevojshme t’i rekomandojë drejtorit të Policisë, suspendimin e një polici i cili është duke u hetuar, deri në përfundimin e hetimeve ndaj tij.
Prokurorja e rastit Rukie Shasivari ende nuk e ka parë të udhës të kërkojë nga Policia e Kosovës suspendimin e policit Nazim Sahiti, ndonëse këtë ia lejon ligji.
“Mendoj se nuk mundet me ndiku në hetime, ne i kemi ndërmarrë disa veprime hetimore, kemi me marrë edhe tjera, mirëpo ai nuk është që ndikon për momentin, për këtë edhe nuk kam kërkuar ndonjë masë për të”, thoshte Shasivari më 4 janar.
Por, ndikimin e tij në rast, Sahiti e kishte shfaqur që nga momenti kur viktima që e rrahën brutalisht në rrugë kishte shkuar në stacionin më të afërt policor për ta denoncuar rastin. Sahiti përmes vartësve të tij, kishte tentuar të zhdukte të gjitha video-xhirimet nga vendi i ngjarjes.
Këtë e thotë edhe Agron Mustafa në letrën që i kishte dërguar ministrit të Brendshëm, Flamur Sefajt. Aty, ai ka treguar se si kur kishte shkuar në polici ishte trajtuar që ai të cilësohet si i dyshuar. Ndërsa, Nazim Sahiti ishte provuar të nxirrej si viktimë. Këtë, ai tha se provonin ta bënin vartësit e tij, të cilët sipas Mustafës shfaqeshin në numër të madh në stacionin Qendra.
Madje, nën ndikimin e Sahitit, policët që e kishin intervistuar Mustafën ishin detyruar ta shqyenin copa-copa deklaratën fillestare që Mustafa e kishte dhënë në cilësinë e viktimës. Drejtori i Telekomit këtë kishte arritur ta filmonte me telefonin e tij.

“E gjitha kjo më lë të kuptoj që prania aq e lartë e policëve at ditë në stacionin policor “Qendra”, ka mundur të jetë me të vetmin qëllim të eliminimit të dëshmive të ndryshme për të cilat edhe u shkrua atë dite, si dhe për te shtuar presionin ndaj të gjithë atyre që merreshin me hetimin e rastit, duke mos anashkaluar edhe prokuroren kujdestare, e cila së pari takoi dy zyrtarët policorë në praninë e inspektorëve të IPK-së, për të cilët unë isha ankuar”, kishte shkruar Mustafa në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj.
Agron Mustafa në këtë letër, kishte kërkuar nga Ministri që përmes autoritetit të tij të veprojë urgjentisht mbi Inspektoratin Policor të Kosovës në parandalimin e tentim-devijimit të rastit si dhe fshehjes së fakteve relevante për rastin.
Jozyrtarisht Gazeta Express merr vesh se Sefaj ka kërkuar një raport të detajuar nga Inspektorati për rastin e Agron Mustafës.
Ministri ndonëse nuk ka reaguar publikisht, i ka kthyer përgjigje shqetësimeve të Mustafës, duke e siguruar atë për një hetim profesional të rastit të tij.
“Fillimisht shpreh keqardhje për gjithë atë çfarë ka ndodhur ditë më parë. Ju siguroj se organet kompetente, me kërkesë timen, janë duke e trajtuar rastin tuaj me shumë prioritet, profesionalizëm, paanshmëri, efikasitet, përgjegjshmëri dhe etike profesionale, dhe se të gjitha procedurat do të zhvillohen në përputhje me dispozitat e ligjeve në fuqi, e që janë instrumenti më i mirë për parandalimin e ndonjë devijimi eventual”, thuhet në letrën e ministrit Sefaj. /Gazeta Express.


















