IS-it po i dështon propaganda në Twitter

E publikuar: 10/07/2016 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një raport ekskluziv i Associated Press thotë se trafiku i grupit militant, Shteti Islamik, në rrjetin social, Twitter ka shënuar rënie prej 45 % gjatë dy vjetëve të fundit, të dhëna këto që agjencia e lajmeve i ka siguruar nga administrata e presidentit amerikan Barack Obama.

Raporti më tej thotë se SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërkaq i kanë intensifikuar postimet kundër glorifikimit të xhihadit, duke publikuar fotografi dhe deklarata që shpërfaqin vuajtjet dhe skllavërimin që përjetohet në vendet nën kontrollin e grupit ekstremist.

Në mesin e fotografive të postuara nga vendet demokratike është edhe ajo e një arushe lodër, ndërsa mesazhi në arabisht thotë: “IS masakron fëmijërinë”, “vret të pafajshmit”, “fshikullon të dëlirët” dhe “turpëron fëmijët”.

Raporti i Associated Press më pas thotë se një tjetër fotografi tregon dorën e një burri duke e mbuluar gojën e një gruaje me legjendën: “IS-i ia ndalon zërin gruas”.

Ndërsa, fotografia ndoshta më tronditëse që ka për qëllim kundërshtimin e propagandës së grupit ekstremist, është ajo e një gruaje me nikab (vello myslimane), së cilës i dalin lot gjaku nga syri i ënjtur, ndërsa legjenda e fotografisë shkruan: “Gratë nën ISIS. Të skllavëruara. Të goditura. Të rrahura. Të turpëruara. Të fshikulluara me kamxhik”.

Zyrtarët amerikanë sipas AP-së, thonë se postimet e grupit militant në Twitter kanë shënuar rënie,duke e marrë këtë si shenjë progresi drejt eliminimit të propagandës, e cila fajësohet edhe për nxitjen e sulmeve terroriste nëpër botë.

Kur SHBA-ja e themeloi një koalicion ndërkombëtar në shtator të vitit 2014, për ta luftuar IS-in, administrata kishte nënvizuar disa qëllime: sulmet ushtarake, ndalimi i luftëtarëve të huaj dhe financat e tyre, konfrontimi i ideologjisë ekstremiste dhe ndalimin e popullaritetit të militantëve në botën arabe dhe përtej saj.

Mesazhet e kësaj fushate nuk e arritën suksesin e dëshiruar në fillim, shkruan Associated Press, pasi shumica e mesazheve kundër Shtetit Islamik në internet, ishin në anglisht, duke pasur kështu ndikim të kufizuar.

Në atë kohë, rrjetet sociale vetëm sa kishin filluar të përdornin një qasje të re teknologjike për mbylljen e profileve që radikalizonin dhe rekrutonin të rinjtë si pjesëtarë të IS-it.

Zyrtarët amerikanë besojnë se këto teknologji të rrjeteve sociale tashmë janë avansuar. Fotografitë dhe produktet online që shpërfaqin trajtimin e grave, fëmijve dhe të tjerëve tashmë publikohen pothuajse në tërësi në arabisht.

Më parë, përhapja e këtyre mesazheve bëhej nga vetë Qeveria amerikane, ndërsa tani këto mesazhe përhapen nga qeveritë myslimane, liderët fetarë, shkollat, liderët e të rinjëve dhe grupet avokuese me kredibilitet nëpër komunitetet lokale.

Të dhënat, sipas Associated Press, tregojnë një rënie të propagandës së grupit militant, Shteti Islamik.

“Ne po ia mohojmë ISIL (një nga emrat e Shtetit Islamik) mundësinë e operimit të lirë në internet, dhe tani po e vërejmë rënien e pranisë së tyre në rrjete sociale”, i ka thënë AP-së, Michael Lumpkin, udhëheqësi i Qendrës së Përfshirjes Globale që e koordinon qasjen e Qeverisë amerikane në luftën kundër mesazheve të ekstremistëve.

Të dhënat e siguruara nga AP, tregojnë se ndaj çdo publikimi pro IS-it publikohen 6 mesazhe kundërshtare.

Ndërkaq, çdo profil pro grupit militant në Twitter sot ka deri në 300 persona që ia përcjellin mesazhet derisa në vitin 2014, një profil i ngjajshëm ka pasur deri në 1500 persona.

Arsyeja pse Twitter është përzgjedhur për t’u hulumtuar, gjithmonë sipas raportit ekskluziv të AP-së, është fakti që ky rrjet social është shfrytëzuar në mënyrë masive nga IS-i për të rritur përkrahjen,ndonëse edhe rrjetet tjera sociale, YouTube dhe Facebook janë përdorur mjaft.

Grupi militant, Shteti Islamik është shkëputur nga Al Kaida dhe ka filluar e vetme të okupojë territore të shumta në Siri dhe Irak në vitin 2013. Dhe derisa kjo ndodhte, sipas AP-së, profilet pro këtij grupi ekstremist kanë filluar të bëjnë me dhjetëra mijëra postime në Twitter çdo ditë.

Zyrtarët amerikanë u kanë dhënë rëndësi rrjeteve sociale pasi besojnë që disa prej sulmeve të kryera në perëndim, janë nxitur përmes internetit, të kryera nga njerëz që nuk kanë pasur asnjë kontakt me liderët apo luftetarët në Lindje të Mesme. Një nga këto sulme konsiderohet ai në San Bernardino të Kalifornisë në dhjetorin e vitit 2015, ku u vranë 14 persona.

Ndërkaq, partnerët e amerikanëve kanë përhapur mesazhet e shumta që tregojnë se grupi ka humbur shumë territore, ndërsa edhe në ato që ende i kontrollon, nuk ofron shërbime bazike.

Ndonëse qeveria amerikane nuk ka ndonjë marrëveshje, sipas Associated Press me Twitter, prej mesit të vitit të kaluar, kjo kompani ka pezulluar mbi 125 mijë profile që kanë postuar në të mirë të grupit militant.

AP shkruan më tej se zyrtarët e pranojnë që fokusimi në Twitter mund të ketë detyruar militantët e Shtetit Islamik që të përdorin platforma siç janëWhatsApp apo Telegram, por kjo do të thotë se qasja në informacionet e shpërndara nga ata kanë audiencë shumë të vogël.

Qendra e Përfshirjes Globale është themeluar në muajin mars, duke e zëvendësuar një entitet të Departamentit amerikan të Shtetit në luftën kundër IS-it, më saktë Qendrën për Komunikim Strategjik Anti-terrorist.