Po bie niveli i ndotjes së ajrit, por prapë mbetet shumë shqetësues

E publikuar: 25/01/2018 17:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ajri i ndotur në Prishtinë vazhdon të jetë shqetësues në vend. Ndonëse, zyrtarët në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se trendi i cilësisë së ajrit në Prishtinë, ka një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitet e tjera, edhe pse cilësia e ajrit nuk është në nivel të kënaqshëm as gjatë vitit 2017.

Frymëmarrja e tij veçse vështirësohet posa del dhe thith ajrin në kryeqytet.

Fahri Hoxha, është një nga qytetarët e shumtë në vend, i cili ankohet për nivelin e ndotjes së madhe të ajrit.

“Tek unë ka ndikim shumë të madh, pasi që kohë pas kohe kam problem me frymëmarrje”, tha Hoxha për Express.

Për shumë qytetarë sidomos për ata që janë në moshë të shtyrë, ndotja e ajrit shihet si një rrezik i vazhdueshëm për shëndetin e tyre.

“Ndotja e ajrit është një rrezik i vazhdueshëm që na kërcënon këtu në Prishtinë më së shumti për shkak se ka shumë vetura që lëshojnë gazra që janë të vjetra dhe plus nga Obiliqi, tymi hetohet jo veç në Prishtinë, por edhe më larg. Shoqëria jonë, shteti ynë është mirë të bëjë diçka më të mirë dhe më konkrete për ta tejkaluar këtë problem. Ndoshta nuk e vërejmë shumë tani, por pasojat ndihen më vonë”, thotë Mujë Berisha, një qytetar tjetër nga Prishtina.

Nga katër komponentët kryesorë të mjedisit, momentalisht problemet me ajrin po dalin të jenë më të mëdha.

Sipas njohësit të çështjeve të mjedisit, Behxhet Mustafa, ndotësit më të mëdhenj konsiderohen të jenë veturat dhe termocentralet në Obiliq.

“Ndotja e ajrit është evidente, prej katër komponentëve të mjedisit sa janë, ajri, uji, toka, biodiversiteti, si duket ajri është më i atakuari, problemet me të i kemi më të mëdha. Pa dyshim se shkaqet janë të njohura, burimet ndotëse më të mëdha janë termocentralet tona në Obiliq dhe natyrisht automobilizmi që janë me një moshë mesatare mbi 20 vjet”, u shpreh për Express Mustafa.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës ka publikuar të dhënat për nivelin e ndotjes së ajrit në Prishtinë në raportin ditor.