Plus 12 mijë shoferë të rinj i shtohen rrugëve të Kosovës për tre muaj

E publikuar: 05/08/2022 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vazhdimisht në drejtim të pjesëmarrësve në trafik bëhet thirrje për kujdes të shtuar.
Numri i madh i aksidenteve ka bërë që Policia e Kosovës në shumë raste të bëjë thirrje për kujdes derisa mos-respektimi i rregullave në trafik ka ndikuar që shumë qytetarëve t’u konfiskohen patentë-shoferët.

Në lidhje me numrin e rinj të shoferëve në Kosovë, lajmi.net ka kontaktuar mistrinë e Infrastrukturës, Departamentin për Patentë-Shoferë.

Në tre mujorin e parë të vitit 2022, numri i kandidatëve të cilët janë pajisur me patentë-shoferë është 11 mijë e 800.

“Në 3 mujorin e I-rë të vitit 2022 numri i kandidatëve të pajisur me patent-shofer është 11800 kandidatë”, thuhet në përgjigjen e MI-së.

Kurse sipas Ministrisë së Infrastrukturës gjatë vitit 2021, numri i qytetarëve të cilët u pajisën me patentë-shoferë ishte 46 mijë e 492 gjithsej.

Por për t’u pajisur me patentë-shoferë së fundi u bë edhe një ndryshim. Në kuadër të testimeve, Ministria e Infrastrukturës mori vendim për vendosjen e E-Testimit.

Pas kësaj nga kjo ministri kanë deklaruar se realizimi i E-Testimit iu ka mundësuar kandidatëve të cilët i nënshtrohen provimit në testimin teorik që në mënyrë elektronike (përmes kompjuterit), ku pyetjet përzgjedhen nga vetë aplikacioni, por edhe kontrollimi si dhe rezultati del në mënyrë automatike.

“Kjo bëhet pa pasur nevojën e kontrollimit nga pyetësi në formë fizike, por vetëm në mbarëvajtjen e provimit”,thuhet në përgjigje.

Madje sipas ministrisë edhe siguria e këtij aplikacioni është e ndërtuar në atë formë që çdo ndërhyrje e kandidatit në test, nënkupton përzgjedhje e pyetjeve të tjera nga vetë aplikacioni.

Por pavarësisht se E-Testimi është duke u përdorur prej sa kohësh, nga ministria përkatëse nuk kanë ndonjë matje nëse ka patur më tepër kalueshmëri apo rënie nga testimi elektronik.

“E-testimi i filluar si pilot projekt në NJPSH Prishtinë 2019 dhe i funksionalizuar tashmë në të gjitha NJPSH-të dhe niveli i kalueshmërisë është afërsisht i njëjtë, por ende nuk është bërë një krahasim i detajuar për tre mujor apo gjashtë mujor”.

Ndryshe shumë prej qytetarëve të cilët i janë nënshtruar këtij testimi kanë deklaruar se mënyra e realizimit të testimit për pajisje me patentë-shoferë në këtë mënyrë është më efikase.

Sipas tyre mundësia për të bërë ndërhyrje në rezultat apo diçka të ngjashme është më e pakët.

Kandidatët pas përfundimit të dhënies së përgjigjeve mund ta shoh vetë rezultatin, e kësisoj edhe gatishmërinë e tij për t’u pajisur apo jo me patentë-shoferë.

Për vite me radhë në Kosovë është raportuar për raste të shumta të dhënies së ryshfetit, apo “blerjes” se patentë-shoferëve.

Kësisoj mos-gatishmëria për të qenë pjesëmarrës në trafik, por mundësia e marrjes së patentë-shoferëve shpesh herë ka ndikuar edhe në numrin e madh të aksidenteve, që shumë prej tyre ishin edhe me fatalitet.