Plenumi i mashtrimit, joshjes, presionit e shantazhit me “Qetësi filozofike”!

E publikuar: 31/05/2015 21:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Astrit Gashi

Po ja nisi me një fakt. Nga 26 delegatët e zgjedhur të njërës nga degët me ndikimin të LDK-së, shumica absolute, saktësisht 24 nga ta janë të punësuar në komunën e cila udhëheqet nga vet kryetari i i degës. Kryetari i tyre, i shehrit e i degës, i kishte mbledhur të gjithë dhe i kishte urdhëruar të votojnë për vetëm një kandidatë- dhe të mos votojnë madje as që ndonjë tjetër të kualifikohet në garën për kryetar. Ky kryetar që pastaj do ta deklaron hapur votën e tij në një emision televiziv, nuk donte as kundërkandidatë. Asnjërin madje as më të përshtatshimin për sistemin- Lutën. Mesazhi i kryetarit për delegatët ishte i qartë: Kush nuk do ta ngriste dorën- humbiste vendin e punës.

Mbledhia e sotme në Emerald- nuk ishte Kongres Pune dhe as Zgjedhor, por ishte një Plenum. Sigurisht juve që e keni mbërri pak ish RSFJ-në ju kujtohen këto organizime- që nuk prodhuan kurrë ndonjë gjë të mirë.

Të parët që u përzunë nga aty ishin gazetarët, natyrisht, si armiqtë më të mëdhenjë të demokracisë e duartrokitjes!

Gjatë procesit ndaj disa delegatëve me mendim të tyre e që ishin zgjedhur në bazë të meritave ka pasur presion e shantazh sistematik. Shumica tjetër ishin përgjedhur me kujdes që nga degët e nëndegët me listë dhe me votim të hapur ashtu që të votojnë sipas urdhërave të kryetarëve të degës dhe Kryetarit tashmë legjendar, Isa Mustafës.

Rastet janë të shumta – nga disa degë në Prishtinë e deri tek ajo e Ferizajit e Gjilanit, ku kryetarët kishin bërë inxhineringun zgjedhor- duke i llogaritur njerëzit si numra. Numra që shëndërrohen në duartroktije e jo votë. Të gjitha këto bërë me një “qetësi intelektuale” natyrisht.

Lutfi Haziri nuk pati nevojë të sakrifikohet për liderin Mustafa, që para tre vitesh do ta rikthente në Gjilan me shpresën se më kurrë nuk do të dukej në Prishtinë. Sipas nëndegës më të madhe në Gjilan, Luta kishte vendosur të shkeltë atë që zakonisht e rrafshit për toke- fjalën e dhënë. Ishte marrë vesh me kampin e Isës dhe i dërgoi të gjitha votat në sepetin e tij.

Te disa kokëfortë sikur Dega e Prizrenit dhe kryetari i saj i ri, që nuk u dorëzuan ndaj presionit, por kërkuan garë- madje shkuan aq larg sa edhe propozuan kundërkandidaten Vjosa Osmani- hakmarrja mbahej në xhepin e djathtë dhe ata mbetën jashtë Këshillit të Përgjithshëm.

Në Plenumin e sotëm nuk kishte votim për kryetar- ky proces sipas një sistemi demokratik të rizbuluar nga musteqokët e kontabilistët e sotëm të LDK-së, u ndërrua me një proces ekstremisht transparent e të paparë në demokracitë moderne- me duartrokitje.

është fakt që askund në Statutin e partisë nuk lihet asnjë mundësi që votimi për kryetarë të bëhëet me duartrokitje, por vetëm ashtu si bëhët kudo në botë- me votë të fshehur. Askund në status nuk shkruan se si do duhej të veprohej nëse ka vetëm një kandidatë në gare- sepse në LDK ashtu sikur parashihet edhe tek të gjitha Partitë Popullore Evropiane- gara pa kandidatë nuk stimulohet e në të shumtën absolute të rasteve as nuk ndodhë.

E tërë ngjarja ishte e orkestruar dhe organizuar mirë. Delegatët nga degët mbledheshin bashkë me kryetarin dhe niseshin, po bashkë drejt Prishtinës, për të votur një njeri, Isa Mustafën. Nuk fshiheshin e as nuk marroheshin- përkundrazi tërë procesin e përcillnin me foto të nisjes që i postonin në Facebook. Votimi pra ishte kolektiv dhe jo individual andaj nuk fitoi demokracia, por kolektivat. Ishin të shumta fotografitë e këtilla, por më bëri përshtypje ajo nga Rahoveci, ku LDK humbi zgjedhjet lokale dy herë rresht- herën e fundit nën udhëheqjen e kryetarit aktual. Kjo degë edhe e pati kënaqësinë që të propozonte Isën për kryetarë. A mund të ekzistonte një tjetër që do të mund të ja mirrte studentit Avduall Hoti, këtë të drejtë për të shprehur adhurimin ndaj kryetarit?

Gjithçka pra shkoi sipas parimit të Plenumeve në RSFJ dhe hymnit “Druze Tito, mi ti se kunemo…”. Me “qetësi filozofike” dhe duartokitje.

Në fund kryetari morri “kosën”- për të “kositë” barin në oborrin e tij. Një “kosë” kjo tjetër tjetër në formë nga ajo me të cilën udhëheqësia e sotme- dhe jo vetëm kryetari- po prejnë të ardhmen e partisë që udhëheqin. Ata sot që janë rreshtur dhe i janë bindur, mos të harrojnë se mund të vijë një moment kur mund te mbesin pa pozita, pa punë e pa privilegje- sepse dje e sot heshtën. Me “qetësi filozofike” e duartrokitje që nuk lejonin të numëroheshin votat- sikur do të ankohej një kryetar dege.