Burime të Gazetës Express thonë se shërbimet partnere kanë dhënë informacione se po planifikohet atentat ndaj Kryetarit Lumir Abdixhikut dhe disa deputetëve të LDK’së. Një prej deputetëve, emri i të cilit përmendet si cak i sulmit të mundshëm, para gjysmë ore ka deponuar deklaratën e tij në një prej stacioneve të Policisë në Prishtinë.
Shërbimet partnere të Kosovës kanë arritur deri të një informacion se një grup tashmë i identifikuar po planifikon atentat ndaj Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut dhe disa deputetëve të partisë më të vjetër në vend.
Burime të Gazetës Express, kanë treguar se këto informacione janë konsideruar jashtëzakonisht të besueshme dhe krerët e LDK’së kanë vendosur t’i njoftojnë organet e rendit.
Një prej deputetëve, emri i të cilit përmendet si cak i atentatit të mundshëm, para 30 minutave ka deponuar informacionet në një stacion të policisë në Prishtinë.
“Njëri nga deputetet, i cili është cak i atentatit të mundshëm, e ku bën pjesë edhe Kryetari Abdixhiku, kanë deponuar krejt informatat që disponojmë në Policinë e Kosovës”, tha burimi i Gazetës Express.
“Dëshmia është dhënë para 30 minutave”, shtoi ai.
“Ne besojmë se Policia duhet ta trajtojë me serioizitet këtë rast, meqë informatat dhe shërbimet partnere të Kosovës që kanë arritur deri tek informacionet për atentat ndaj krerëve të LDK’së, janë jashtëzakonisht serioze”, shtoi zyrtari i LDK’së, që foli në kushte anonimiteti për Gazetën Express të mërkurën mbrëma.
Gazeta Express nuk ka arritur ta konformojë ende nga organet zyrtare këtë informacion, por ajo që është konfirmuar edhe nga burime tjerë është se informatat për planifikimin e vrasjes së Kryetarit të LDK’së dhe disa deputetëve të partisë së tij, kanë ardhur të mërkurën pasdite, ndërkohë që tashmë është identifikuar grupi. Megjithatë, mbeten mister qëllimet e tyre.
Për këtë temë, Gazeta Express do t’ju mbaj të informuar në vazhdim….