Në panelin e diskutimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih mbrëmë ka rrjedhur një video-incizim ku Kryeministri Albin Kurti fliste për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe idenë e rrezikshme të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër të tjera, Kryeministri Kurti propozoi që në vend të “Mini-Shengenit” ballkanik, Bashkimi Evropian të implementoj një “Mini Marshall Plan” për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor(Kosovën, Serbinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut).
Albin Kurti u pa teksa fliste mbrëmë në Konferencën e Sigurisë në Mynih në panelin ku sipas rregullave Chatham House Rules, pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë që të nxjerrin jashtë tryezës diskutimet që ndodhin. Por fjalimi i Kryeministrit Kurti u shpërnda dhe u dëgjua, shkruan Gazeta Express.
Kryeministri Kurti tha ndër të tjera se të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkëngjiten Bashkimit Evropian në të njëjtën kohë.
Kurti nuk u pajtua me idenë e krijimit të një mini-shengeni ballkanik, duke thënë se Bashkimi Evropian duhet të krijojë një “mini-marshall plan” për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ngjashëm me “Marshall Planin” e ShBA-së pas Luftës së Dytë Botërore për Evropën.
“Kjo ideja e ‘Minishengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë. Njëjtë sikur “Plani Marshall”, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘Mini-Marshall Plan’ për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kryeministri Kurti mbrëmë në Mynih të Gjermanisë.
“Plani Marshall” ishte një fond ndihmash i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar shtetet e Evropës në rimëkëmbjen ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore.
“Planin Marshall” e kishte propozuar Sekretari i Shtetit George Marshall në vitin 1947.
Presidenti amerikan Harry Truman nënshkroi “Planin Marshall” më 3 prill 1948, dhe ndihma financiare ishte shpërndarë tek 16 shtete evropiane, duke përfshirë Britaninë, Francën, Belgjikën, Holandën, Gjermaninë Perëndimore dhe Norvegjinë.
Ky plan kishte ofruar më shumë se 13 miliardë dollarë ndihma për shtetet e Evropës të cilat kanë qenë të shkatërruara nga Lufta e Dytë Botërore.
Pas përfundimit të planit në vitin 1951, të gjitha shtetet të cilat kishin përfituar nga “Plani Marshall”, kishin shënuar rritje të konsiderueshme ekonomike. Për këtë arsye ky plan ishte konsideruar i suksesshëm.
“Plani Marshall” ishte konsideruar më shumë sesa një plan ekonomik. Krijimi i këtij plani çoi në themelimin e NATO-s si një aleancë mbrojtëse. Sekretari i Shtetit, George Marshall fitoi çmimin Nobel për Paqe në vitin 1953 për përpjekjet e tij në zbatimin e “Planit Marshall”.
Shkruan, Arbër Jashari