Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën kga vazhduar gjykimi ndaj Pjetër Shalës, ku mbrojtësi i tij, avokati Jean-Louis Gilissen, sqaroi arsyen pse Shala ishte i tensionuar në seancën e kaluar dhe kërkoi të largohej nga salla, duke kërkuar që seancat të jenë sa më shumë publike.
Në fillim të seancës, avokati Gilissen tha se Shala kishte dëshirë të ishte i pranishëm në sallë, por që ishte i tensionuar, pasi seanca po transmetohejme ndërprerje, duke kaluar në seanca private dhe se publiku nuk ishte në gjendje ta ndiqte gjykimin në tërë e jo se nuk mund t’i duronte ato që thuheshin aty, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, Gilissen shtoi se është në dijeni për rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve, por gjithashtu duhet treguar kujdes me parimin e publicitetit, për të siguruar një gjykim të drejtë.
Sipas tij, ishte gjykata ajo që e humbi Shalën në seancën e së martës dhe jo që ai nuk po duronte deklarimet në seancë.
“Një gjyq, për të qenë i drejtë duhet të jetë publik, ju lutem, prioriteti është një proces publik, është një garanci, por sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon aspektit të sigurisë, veçanërisht bazuar në informacionin lidhur me identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe për sigurinë e tyre”, tha ai.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia tha se ka të qartë parashtrimin e mbrojtjes, por që iu duhet të gjejnë një mesatare të asaj mes parimit të publicitetit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.