Pjesa më e madhe e telefonave inteligjentë kërkojnë fjalëkalime për t’u aktivizuar, disa kanë njohjen e zërit, dhe shumë pak, si iPhone 5S i Apple-it apo Galaxy S5 i Samsung-ut, përdorin shenjat e gishtërinjve. Informacionet biometrike prej kohësh janë vlerësuar si zgjidhje më e mirë për të mbajtur telefonin të sigurt, megjithatë, një studim i ri tregon se edhe kjo mënyrë nuk është aq e sigurt sa duket.
Piratët kibernetikë mendojnë se gjurmët e gishtërinjve nuk janë 100% të sigurt. Dy ekspertë të sigurisë tek kompania FireEye, Tao Wei dhe Yulong Zhang, zbuluan se mungesa e sigurisë tek gjurmët e gishtërinjve i atribuohet më shumë pajisjeve Android, të cilat kanë sensorë për gjurmët e gishtave.
Ata testuan pajisje të tilla si HTC One Max dhe Samsung Galaxy S5, dhe panë që kompanitë nuk i kanë siguruar shumë mirë sensorët, duke iu dhënë mundësi piratëve kibernetikë të aksesojnë informacionet e gjurmëve të gishtave.
Piratët kibernetikë janë në gjendje të klonojnë gjurmët e gishtërinjve dhe të mund të qasen tek telefonat, si tek softueri i Samsung Galaxy S5, për shembull. Ata mund të vjedhin të dhënat biometrike, sidomos gjurmët e gishtave, para se të arrijnë një zonë të sigurt dhe të koduar, dhe të klonojnë gjurmët e gishtave të njerëzve për të aksesuar pastaj telefonat e tyre lehtësisht.
Ekspertët mendojnë se Samsung Galaxy S5 është telefoni më i pambrojtur, pasi ka shumë të ulët nivelin e identifikimit të gishtave. Ndërsa teknologjia Touch ID e Apple-it, sipas tyre, është më e sigurt, pasi sistemi kodon të dhënat e gjurmëve të gishtave nga vetë skaneri.