Gjashtë zyrtarë policorë janë arrestuar sot në Pikën Kufitare në Vërmicë të Prizrenit.
Aksioni i Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe Inspektoratin Policor, është vazhdimësi e aksionit “Pika 1”.
Sipas burimeve të Paparacit, 26 zyrtarë policorë në Pikën Kufitare të Vërmicës, mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë të dyshuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar më herët për operacionin e koduar “Pika 2”, i cili po zhvillohet sot në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës.
Sipas njoftimit, operacioni është bërë pas dyshimeve për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
“Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në njoftim.