Piano dhe kampi i refugjatëve sirianë

E publikuar: 22/03/2016 19:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ilir Muharremi
Se arti dallon nga natyra, e shpjegon Kanti për arsye se natyrën e krijon nëpërmjet aktit apo veprimit në përgjithësi. Këtij kuptimi do t’i jepja të drejtë vetëm si produkt që arrihet nga liria duke vendosur në themel arsyet. Arsyeja mund të mos i interesoj artistit sepse në planë të parë ai ka ndjenjën dhe lirinë. Ne kënaqemi me atë çfarë krijojnë artistët, veçanërisht kur njeriu përballet me revoltën dhe brenda revoltës ka ndjenjë rezistence e cila qëndron përballë ndërhyrjeve të padëshiruara. Edhe në revolt ka pajtim të plotë, ky pajtim është i atypëratyshëm, e kur arti bëhet pjesë stimuluese e revoltës, ose përpiqet për një moment të harrohet revolta, njeriu fillon të ndjehet mirë. Ai i kthehet ndjenjave e jo logjikës. Në thellësi revolta nuk ecën pa ndjenjën, dhe kjo përfaqëson drejtësinë tonë.
Do ta shtroja problemin e emigrantëve të cilët a janë kërcënim për Evropën, apo shtrijnë pafajësinë e tyre dhe duhet art për të vazhduar më tej? Te e para ndonëse qe një kërcënim i vockël për dobësimin e themeleve të Evropës. Mirëpo, kjo pjesë ecën më shpejt se arti. E keqja kur vërsulet ka shpejtësi, kurse e mira merret me arsyen. A kam fakte për refugjatët? Ndonëse, tingëllon si patologjike, porse mendimi i ngjan si shembullit të Zizek-ut që e përdorë nga Jacques Lacan i cili thotë: “Edhe nëse pohimi i një burri xheloz për gruan e tij – se ajo fle me të tjerë – është i vërtetë, xhelozia e tij mbetet patologjike.” Thelbi i pyetjes nuk qe te ajo se xhelozia a mbështetet te faktet. Këtu ai përdorë xhelozinë për ta ruajtur identitetin e tij. Edhe Evropa ruan vetveten nga frika. Ka të drejtë. Militantët ISIS përzihen mes refugjatëve, ndonëse këtu qe edhe skenari. Paragjykimi jonë tingëllon si i vërtetë se refugjatët dhunojnë, vjedhin janë terroristë…. “Diskutimi paranojak mbi kërcënimin nga emigrantët është ende një patologji ideologjike”, thotë Zizek. Është sepse njeriun dëshiron të ruan qetësinë dhe paqen. Problemi qëndron të Evropa e jo te emigrantët. Evropa mund edhe të kërcënohet, por esenca është te dobësimi i saj. “Këtu ekzistojnë dy dimensione të cilat duhet dalluar. Njëra është atmosfera e frikës, e luftës kundër islamizimit të Evropës, e cila ka dukshëm absurditetet e saj”, shënon Zizek. Refugjati i cili ikën nga terroristët, nga revolta bën prapakthim, sepse ecte nën presionin e militantëve dhe tash kundërshton, fillon të barazohet, të bëhet vetë terroristë.
Në këtë gjendje alarmante, arti përpiqet ta tejkaloj. Artisti disident Ai Weiwei solli një piano të bardh në mes një fushë balte në kampin e refugjatëve në Idomeni të Greqisë. Një refugjate po luante në piano para refugjatëve të tjerë. Ajo po pret të bashkohet me burrin e saj. Në çaste të artit shpirti artistik frymon, ndjenjë lirinë dhe harron revoltën, porse edhe gjatë ekzekutimit merr nga revolta. Muzika bëhet një revoltë, dhe “artistja” përpiqet ta tejkaloj fatin e vet. Artisti veprojë mu në çast të duhur, por arti synon unitetin dhe totalitetin. Në këtë moment edhe krimineli edhe i revoltuari (refugjati), bëhen bashkë, luajnë dhe janë të mirë. Njeriu si qenie shtypet, por arti këtu çliron shpirtin. Artisti, Wei duhet ta dijë, se individi nëse pranon të vdesë, me atë rast ai vdes. Këta refugjatë nga kjo revoltë sakrifikohen në dobi të një të mire, e cila qëndron jashtë fatit. Këtu ai ndërhyri me piano. Mundi edhe me përfomans, shfaqje teatrale…..
E shohë se refugjatët më parë preferojnë mundësinë e vdekjes nëse i mohohet e drejta të cilën e mbrojnë, kjo bëhet sepse e vendosin mbi vetveten. Kjo vlerë qe konfuze, por ata mendojnë se posedon ndjenjën e përbashkët me njerëzit e tjerë. Arti tejkalon luftën e rrëzon përballë fitores së vet. Arti ka forcë dhe këtë forcë e shfrytëzon artisti Wei i cili bënë thirrje që Evropa të jetë më humane me refugjatët. Arti tejkalon kombin, racën historinë, është më i thellë kur ndjek aktualizimin. Në mesin e këtyre refugjatëve ka njerëz të dëshpëruar, por edhe kriminel. Krimineli dhe i revoltuari bëhen një. Shpirti i lirë i udhëheq. Ndonëse, ky mund të jetë edhe teatër i shtirjes ku përdoret dëshpërimi si shigjetë e pushtimit të Islamit në Evropë. Prapë arti e tejkalon, mirëpo nuk i kundërpërgjigjet dhe kjo është e keqja. Përhapja e Islamit në Evropë është e mjaftueshme, kërkesa është te zgjerimi. Gjesti i artistit bëhet shumë unik i madh dhe ngre zërin për të gjitha ekzistencat. Mohimin brenda refugjatëve, ai e anashkalon me art. Prapë aty jeton një urrejtje dhe revoltë mikroskopike. Katarsisi është i kot.
Në dimension tjetër, të revoltuarit (refugjatët) përdoren për idealizëm “humanitar”. Teatri Evropian qëndron këtu ndërmjet tragjikomikes ku tradhtohet humaniteti ky spektakël është vrasës me interes personal (vetjak.) Është një projeksion racist (e dominonte perëndimi), i cili dikur qe i pranishëm nga dhuna kolonizuese. Ne pranojmë tjetrin të pafajshëm, por artisti shpall solidarizimin dhe arti ngre fuqinë. Por, ku ka art të dobësisë? Pajtohem me artistin Weiwei, por nuk pajtohem pse arti nuk i shpall luftë padrejtësisë? Arti këtu është çlirim i ndjenjave dhe heshtje. Artisti mund të tregon edhe fundamentalistët mes refugjatëve. Edhe parandalimin e tyre. Ekziston shkallë e madhe raciste anti-emigrante, por faji qe narcis evropian dhe pohimi humanitar bëhet shumë egoistë politik. Detyra jonë si dhe e artistëve është ta hapin një kompromis pa racizmin, vetëm në shkallën e humanizmit. Nëse bëhet kjo, atëherë vendosim mure ndërmjet fqinjëve. Njeriu është qenia më e çuditshme në tokë, dhe vërtetë është i huaj. Jeton dhe kënaqet me padrejtësitë, sepse s’mund të ndjehet rahat nën lëkurën e tij, instinktet ose shpirtin. Njeriu është majmuni më i madh në mesin e gjithë majmunëve, lëviz gishtërinjtë, këmbët, duart, kokën, por realisht është më i paralizuar se kafsha. Është i mbështjellur me tërë artifcialitetin e mundshëm rreth tij. Jeton ndërmjet lirive konfuze dhe kufizimeve ekstreme. Dallon nga kafsha sepse di të buzëqesh, dhe sikur të dinte ndonjë sekret të Zotit ose universit, do të perëndonte çdo gjë.
Pak njerëz arritën tejkalimin ose i besuan fjalës “përtej”. Nuk është që nuk krijuan diçka mbi veten, por mbetën majmunë. Njeriu gjithnjë qe majmunë dhe tashmë është mbretë i majmunëve, porse ka ndjenjën e të qenit i huaj në tokë. Ndjenjë e kotësisë. Vlerat nuk janë as të krishtera e as myslimane, Evropa këtë e di si dhe Lindja, ndonëse çdo vlerë është përbrenda praktikës së njeriut-majmunë, (bëhet fjalë për Evropianin e sotëm.) Majmuni i sotëm arrin të hanë, të pinë, këndojë, të bëjë dashuri, të dijë si t’i qaset udhëheqësve, kjo është mënyrë e zakonshme jetese. Këta refugjatë (dikur ishim edhe ne si këta), në sytë e Evropës janë të huaj, por Evropa harron qëllimet se vetvetja s’ka si të njohët tek i huaji, por duhet gjetur të huajin brenda thellësisë së vetes. Duhet të ekzistojë një pranim se të gjithë jemi ekzistent, dikush në formë çuduake, por duhet siguruar bashkëjetesë të pranueshme pavarësisht mënyrave të jetesës. Njeriu për njeriun nuk duhet të jetë ujk. Njeriu jeton dhe kënaqet ndërmjet dashakeqësisë dhe pushtimit.
Nëse kërkojmë njeriun e mirë, pak dimë për këtë. Secili që e di këtë nuk e kërkon të jetë ai kështu. “Njerëzit e mirë nuk e thonë kur të vërtetën”, thotë Nietzsche. Shpirti nuk e pranon këtë sëmundje. Të mirët dinë edhe të nënshtrohen. Ata japin veten, këtë tani e bëjnë me përsëritje, dikur edhe arsyeja fillon të beson. Bindja shkelmon vetveten. Në këtë luftë jeton Evropa, por arti ruan vetveten dhe shpall bashkëjetesën sepse në thelb ka të bukurën. Të mirët e identifikojnë të keqen dhe ribashkimi lind të vërtetën.