Ka më shumë se dy javë që Enver Hasani, i dyshuar për “Falsifikim dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”, nuk ka marrë pjesë në seancën e thirrur me arsyetimin se ka imunitet.
Thirrja në imunitet e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka bërë që hetimet ndaj tij, ku ai dyshohet për “Falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare” të pezullohen për një kohë të pacaktuar.
Kanë kaluar më shumë se dy javë kur ishte paraparë që Hasani së bashku me kryetaren e porsazgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama, ishin ftuar në seancë gjyqësore në kuadër të një hetimi të vecantë. Hetimi ka nisur nga Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të dëshmisë së dëshmitarit kryesor të rastit ndaj Enver Hasanit, gjyqtarit Robert Carolan.
Ky i fundit ka shtetësi amerikane dhe Prokuroria nuk është e sigurt nëse ky dëshmitar do të mund të jetë i pranishëm edhe gjatë shqyrtimeve gjyqësore dhe kësisoj ka vendosur që dëshminë e tij ta sigurojë përmes të ashtuquajturit “Hetim i vecantë”, ku dëshmitari jep deklaratë para të dyshuarve, avokatëve të tyre dhe një kolegji prej tre gjyqtarësh të Gjykatës Themelore.
Një seancë e tillë ka qenë e caktuar për datën 20 maj. Aty kanë qenë të pranishëm dëshmitari Carolan, prokurori Blerim Isufaj, kolegji i gjyqtarëve i kryesuar nga Alltëne Murseli, por aty ka munguar i dyshuari kryesor Enver Hasani. (Zëri)