Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ngrin dekretin e presidentit Bajram Begaj që vendosi datën 9 nëntor si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve për bashkinë Tiranë.
Zyrtarisht kjo gjykatë tha se vendimi u mor njëzëri dhe se padia e ish- kryebashkiakut Erjon Veliaj kalon në seancë plenare publike që do të mbahet më datën 31 tetor, raporton TopChannel, përcjell KosovaPress.
Vendimi i pezullimit të dekretit të presidentit Begaj do të thotë se për Tiranën gjykata kushtetuese urdhëron të mos ketë zgjedhje lokale, ndërkohë që më herët avokatët e Veliaj e konsideruan shkelje të rëndë kushtetuese dekretimin e datës së zgjedhjeve për sa kohë sipas mbrojtjes e trajtoi shkarkimin e Veliajt si një çështje administrative, duke prodhuar sipas tyre një akti juridik të pavlefshëm.
Po në kushtetuese Erjon Veliaj ka kundërshtuar edhe shkarkimin nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës, që nuk u paraqit në detyrë siç thotë ai për shkak të pamundësisë sepse është i paraburgosur nën akuzat për korrupsion ndërkohë që çështja është në seancë paraprake.
Pas kësaj padie avokatët shtuan edhe një pikë tjetër, ku kërkohej pezullim i dekretit derisa gjykata të shprehet për tërësinë e çështjes.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se pas shqyrtimit të animimit të bërë nga Veliaj, se në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (Erion Veliaj), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
Zyra e presidentit Begaj në një njoftim për mediat deklaroi se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025”, thuhet në deklaratë.
Kandidati i opozitës, Florjan Binaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar votimin në Tiranë në 9 nëntor, duke thënë se kurdo që të caktohen zgjedhjet për kryeqytetin, ai do të merr pjesë në garën zgjedhore.
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me pezullimin e dekretit të presidentit Begaj. Në mesazh thuhet se vendimi nuk i prek zgjedhjet që do të mbahen, teksa shton se më 31 tetor pritet të merret vendimi përfundimtar.
“Sikurse u theksua edhe mbrëmë, vendimi i sotëm nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në degët e PS në Tiranë.
Ndërsa Sali Berisha nga PD, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka quajtur një akt të rëndësishëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë së rendit.

















