Ish-i dërguari special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch, ka vlerësuar arritjet e Kosovës në planin socio-ekonomik, por ka theksuar se vendi mbetet ende larg nivelit që do të garantonte stabilitet afatgjatë.
Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Petritsch ka thënë se sfida reale për Kosovën është krijimi i kushteve që brezi i ri ta shohë të ardhmen brenda vendit, e jo jashtë tij.
“Ende shumë kosovarë detyrohen ta kërkojnë mirëqenien e tyre jashtë vendit të tyre”, është shprehur ai.
Petritsch pret nga Qeveria e re e Kosovës një strategji ekonomike ambicioze, të harmonizuar me agjendën e Bashkimit Evropian, me qëllim forcimin e autonomisë sovrane të vendit.
Ai e lidh zhvillimin ekonomik me qëndrueshmërinë politike dhe sociale, duke lënë të kuptohet se reformat strukturore dhe orientimi i qartë drejt standardeve evropiane janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës.
Një nga paralajmërimet më të forta të Petritschit lidhet me atë që ai e quan “fund i epokës transatlantike”, duke theksuar se kjo ka pasoja të drejtpërdrejta për raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, të cilat ai i përshkruan si “çlirimtarin dhe mbrojtësin afatgjatë të vendit”.
“Pikërisht në kohën kur luftëtarët kurdë të lirisë janë braktisur nga SHBA-ja në Irak, apo kur palestinezët janë më larg se kurrë nga shteti i tyre, duhet t’ia kujtojmë vetes se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa shkuan në luftë për të siguruar mbijetesën e Kosovës – dhe pavarësinë e saj përfundimtare”, ka deklaruar Petritsch.
Sipas tij, kjo përmban një mësim dhe një obligim për Kosovën: të bëhet një anëtare e respektuar e komunitetit të shteteve demokratike evropiane.
Në vlerësimin e tij, Kosova duhet të angazhohet sinqerisht me pakicat, veçanërisht me komunitetin serb në veri, si dhe të sigurojë një qeveri funksionale dhe efektive pas një periudhe të gjatë të pasigurisë demokratike.
“Kjo do ta shndërronte Kosovën në një shtet evropian ‘të rritur’”, ka përfunduar Petritsch.

















