Petr Cech tashmë mund të quhet një lojtar i Arsenalit.
Portieri veteran cek që do të ndryshojë skuadër por jo qytet kishte arritur fillimisht marrëveshjen për termat personal me Gunners dhe tashmë ka kryer edhe vizitat mjekësore që janë hapi i fundit i largimit të tij pas 11 vjetësh nga Chelsea. Pavarësisht se Petr Cech i kishte mbetur edhe vetëm një vit kontratë, Chelsea mendohet se do të përfitojë një shumë të konsiderueshme, rreth 21 milion Euro për 33-vjecarin që nuk kishte ndërmënd të qëndronte edhe një sezon tjetër si portier i dytë pas Thibaut Courtois.
Një lëvizje e tillë ishte kërkuar nga vetë Cech që në fillimin e muajit qershor për dy arsye, e parë për t’u kthyer sërish numri 1 i portës së një skuadre të rëndësishme dhe e dyta për të mos zhvendosur familjen e tij të re nga Londra. Jose Mourinho ishte shprehur publikisht kundër idesë së largimit të Cech tek një skuadër rivale, por vendimi final u mor nga padron Abramovich i cili për shkak të miqësisë me portierin dhe respektit që ai fitoi gjatë qëndrimit të tij tek Chelsea i ka plotësuar dëshirën dhe nuk e ka penguar të largohet. Petr Cech ka fituar 4 kampionate me Blutë e Londërs që kur u transferua nga Rennes ne 2004 pa harruar që ka shijuar suksesin edhe të FA Cup, Champions League dhe Europa League.
Largimi i tij tashmë lind nevojën për një tjetër numër 2 tek Chelsea që kanë shënjestruar menjëherë portierin e Stoke City, Asmir Begovic si njeriun e duhur për të zëvendësuar veteranin cek. Ndërkohë që në krahun tjetër edhe Arsene Wenger duhet të largojë një portier ku shanset më të mëdha i Szczesny që kërkohet nga Fenerbahce, ndërsa paraqitja e mirë na fazën e dytë e David Ospinës duket se e ka bindur trajnerin francez të vazhdojë të besojë tek ai./ss/