Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese ka siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë.
“Falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq, sot arritëm të marrim garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe në këtë mënyrë të arrijmë një marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet serbe”, ka thënë Petkoviq, duke iu referuar gjithmonë Kosovës me termat qeveritar serb.
Petkoviq e ka cilësuar këtë marrëveshje si “lajm të rëndësishëm” duke thënë se kanë arritur që të ruajnë dokumentet idetntifikuese për serbët që jetojnë në Kosovë.
“Marrëveshja është me rëndësi vendimtare për serbët që jetojnë në Kosovë dhe Metohi, sepse përkundër të gjitha pengesave dhe shantazheve ne arritëm t’i ruanim dokumentet personale serbe për popullin tonë në krahinë dhe kështu shpëtuam edhe praninë e shtetit të Serbisë në atë zonë”.
Ai përsëriti fjalët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në kudo në pikëkalime kufitare do të shfaqen tabela ku thuhet se “Serbia nuk e njeh Kosovën shtet” dhe se “Ende vlen rezoluta 1244″.
“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet vetëm për arsye praktike për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialogun e vitit 2011. Nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Petkoviq, shkruan RTS, transmeton Klankosova.tv.