Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi varet nga përparimi për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Petkoviq ka deklaruar se “është e domosdoshme që të ketë hapa konkretë drejt formimit të Asociacionit dhe të nisin diskutimet për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Petkoviqi po ashtu është ankuar në ligjet për të huajt dhe për automjete. Sipas tij, duhet të gjendjet një zgjidhje e qëndrueshme, duke akuzuar Kosovën për “veprime të njëanshme e përshkallëzuese”. Sipas tij, “serbëve po u kërcënohet e drejta për jetë, liri të lëvizjes si dhe e drejta për trajtim shëndetësor e arsimim”.
Para vizitës në Serbi, Sorensen qëndroi në Kosovë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm për normalizim të raporteve, por theksoi nevojën që fillimisht Serbia ta dorëzojë kryeterroristin e Banjskës, Milan Radoiçiq, që ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq që ishte shprehur se disa pika të marrëveshjeve nuk do të zbatohen, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit si garanci për të ecur përpara.
Sorsenseni pati thënë se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të sulmit vdekjeprurës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter policor kosovar dhe tre sulmues serbë.

















