Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se serbët në veri të Kosovës e respektojnë KFOR-in dhe EULEX-in por sipas tij nuk është detyrë e tyre që të largojnë barrikadat, shkruan N1.
“Ne nuk kemi asgjë kundër që ata të jenë në veri të Kosovës ata duhet të jenë atje dhe të mbrojnë popullin serb. Ata nuk janë aty për të hequr barrikadat dhe deklarata e komandantit të KFOR-it është e mirë se çështja duhet të zgjidhet me dialog, asgjë me dhunë, asgjë si ajo që po kërcënon Albin Kurti”, ka thënë Petkoviq në Pink Tv.
Teksa ka folur për paralajmërimet e Kosovës për heqje të barrikadave, Petkoviq ka thënë se nëse ndodh ndonjë incident atëherë situata mund të eskalojë edhe më shumë.
“Një pikë gjaku i derdhur mund të na çojë në një spirale dhune dhe sigurisht që nuk kemi nevojë për këtë”, ka thënë Petkoviq