Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se i është dhënë një leje jo e plotë për vizitën e tij në Republikën e Kosovës.
Ka pretenduar se 80 për qind e programit të planifikuar nuk i është pranuar nga autoritetet e Kosovës.
Petkoviq ka thënë se për të mërkurën i ishte pranuar vizita e tij në Kosovë me agjendën si të tërë.
Por thotë se pas-mesnate i ka ardhur një email ku e informon që shumica e aktiviteteve të vizitës së tij i është anuluar, ka raportuar portali propagandistik në gjuhën serbe kosovo-online.
“Shikoni sa larg shkon Albin Kurti, ai tani po i bie qirinjve sllavë dhe ëmbëlsirave sllave, jo vetëm që më ndalon të shkoj në manastire në zonën e KiM-së, por tani më ndalon të marr pjesë në ndonjë ceremoni fetare”, ka thëë Petkoviq.
Ai në Pasjan nuk e ka lënë pa e përmendur edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
“Fatkeqësisht, po e mbyll vizitën time këtu dhe po kthehem në Beograd, por më vjen mirë që isha me njerëzit e mi në Pasjan, që së bashku e festuam festën e madhe të sotme dhe përçova mesazhin dhe përshëndetjet e Aleksandër Vuçiqit se Serbia do të vazhdojë të ndihmon popullin serb në Kosovë që të investojë në mbijetesën dhe mbijetesën tonë në krahinën jugore serbe”, tha Petkoviq, teksa propagandonte si pasojë e iluzioneve të tij dhe të Beogradit.
Gazeta Express i ka shkruar Ministrisë së Punëve të Jashtme nëse i ka dhënë leje Petkoviqit, por deri në këtë moment nuk ka pasur përgjigje.