Petkoviq: I kemi ruajtur targat KM, Kurti pranoi gjithçka që refuzoi ditëve të mëparshme

E publikuar: 24/11/2022 00:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryenegociatori i Qeverisë së Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja në Bruksel do të thotë se nuk ka politikë ndëshkuese ndaj serbëve që drejtojnë vetura me targa “KM” dhe se nga e enjtja nuk do të ketë gjoba prej 150 eurosh.

“Ne i kemi ruajtur tabelat tona KM të Serbisë” – tha ai, por megjithatë tha se lëshimi i targave të reja nga Serbia do të pezullohet derisa të arrihet një marrëveshje për këtë çështje.

“Është veçanërisht e rëndësishme që me këtë marrëveshje të mbeten targa KM, flasim për targa që janë të ligjshme, të cilat serbët do të mund t’i përdorin dhe do të vazhdojnë të jenë në përdorim si më parë. Kjo do të thotë që të gjithë pronarët e veturave me targa KM do të mund t’i regjistrojnë veturat e tyre dhe do të zgjasin vlefshmërinë e tyre. Ne do të ndalojmë lëshimin e targave të reja fizike derisa të arrijmë marrëveshje”, tha Petkoviq, transmeton N1.

“Kjo marrëveshje do të thotë se nuk ka politikë ndëshkuese të Albin Kurtit ndaj serbëve që drejtojnë vetura me targa KM. Nesër në orën tetë nuk ka gjoba prej 150 eurosh të planifikuara nga Kurti, as politika ndëshkuese në të gjitha fazat tjera që kanë qenë pjesë e vendimit të Kurtit në lidhje me me riregjistrim”, u shpreh ai.

Petkoviqi po ashtu ka deklaruar se është ruajtur paqja dhe se serbët në veri të Kosovës janë të mbrojtur.

“Kurti pranoi gjithçka që refuzoi gjatë gjithë ditëve të mëparshme, ne arritëm të ruajmë paqen dhe stabilitetin, të garantojmë sigurinë për serbët në veri, dialogu dhe bisedimet vazhdojnë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Po i them popullit serb, të gjithë pronarët e veturave me targa KM, që të flenë të qetë. Ne i ruajtëm targat tona KM serbe”, ka theksuar Petkoviqi.