“PESHKIMI” I EULEX-IT

E publikuar: 02/04/2015 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Abduselami Shkodra

Që nga ardhja e misionit Eulex në Kosovë është thënë me qindra mira herë se së shpejti Eulexi do të merret me peshqit e mëdhenj që çdo ditë e më shumë po e kriminalizojnë jetën institucionale, nëse Eulex do ta kishte për njëmend dhe nëse me të vërtetë do ta kishte prioritet, kjo do të ishte mjaft e thjeshtë për t’u zbatuar. Mirëpo (shtetarët tanë) peshqit e mëdhenj po arrijnë me notu pafundësisht fal edhe jo seriozitetit të këtij misioni që tashmë as vetë ata (eulexi) nuk po besojnë  më në sinqeritetin e deklarimeve të tyre, për arsye se për çdo tentativë të deri sotme për të peshkuar peshqit e mëdhenj (për t’i nxjerrë para drejtësisë) qeveritarët tanë abuzojnë me mediat duke mbushur emisione të tëra me anë të deklaratave propagandistike me qëllim që të fitojnë betejën në opinion (pikë në popull), kinse po linçohen për “arsye dhe motive politike”. Intrigat e njerëzve të politikës kanë arritur deri aty sa, në mënyrën më të pacipë kërkojnë në njërën anë që të  dekriminalizohet shteti dhe institucionet në të gjitha nivelet madje edhe me anë të krijimit të institucioneve të cilat janë të karakterit fiktiv dhe pa as një lloj kredibiliteti siç janë agjencitë kinse për  luftimin e krimit dhe korrupsionit, madje edhe duke kërkuar dhe marrë iniciativa të hartimit të  ligjeve me anë të së cilave të bëhet edhe spastrimi i shtetit dhe shoqërisë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni si dukuri që çdo ditë e më shumë po e krijojnë bindjen e opinionit vendor dhe faktorit ndërkombëtarë që Kosova po shkon drejt një dështimi të shtetit funksional. Dihet mjaft mirë se emërimet tashmë, për funksionar të shtetit, i emërojnë kryetarët  e partive politike, po ashtu dhe punonjësit e administratës,  janë skajshëm partiak dhe me fuqi politike.

Liderët e partive politike dhe partitë politike pra janë ata që do duhej ta bënin të kundërtën duhet të ndalonin individin e inkriminuar që të bëhet pjesë e institucioneve. Në këto kushte, misioni i Eulex-it do dilte jashtë funksionit të tij, në një mënyrë tjetër dhe ajo mënyrë do të ishte duke u  vetëdijesuar njerëzit që vendosin që të ndalin së dërguari këta njerëz që kanë mision “pushtimin” e institucioneve të shtetit. Mirëpo kryetarët dhe partitë e dinë mjaft mirë se sa borxhe ju kanë këtyre njerëzve të inkriminuar. Këta njerëz janë ata që mbulojnë fushatat, janë ata që fusin duart edhe në kutitë e votimit. Janë ata që blejnë edhe komisionerët, pra janë bërë pjesë “vitale” e çdo partie. Gjendja në të cilën gjendet vendi në këtë rrafsh, tregon hapur se kriminelët janë bërë pjesë integrale e politikës dhe e institucioneve. Kjo vërteton se, Kosovës i duhen mekanizma që tregojnë vendosmërinë që në zbatimin e ligjit për të anashkaluar, luftuar, dhe penalizuar këta njerëz. Fillimisht për t’i anashkaluar pasi, këta njerëz janë bërë pjesë e rëndësisë së veçantë e partive politike, dhe rrjedhimisht edhe i institucioneve të gjitha sektorëve. Me sa duket partitë nuk kanë forcë për t’i larguar këta njerëz, madje edhe i marrin në mbrojtje në rastet kur Eulexi ka pas ndonjë tentativë sporadike për qëllime mediatike për të “peshkuar” peshq shumë të vegjël të cilët kanë arrit që ta zmbrapsin Eulex-in edhe me vogëlsinë e tyre, misioni i BE-së Eulex është treguar i pa fuqishëm dhe jo profesional në shumë raste, po e keqja nuk mbaron me këtë sepse edhe nëse do të ketë në të ardhmen disa peshkime nga ana e Eulex-it ndaj titullarëve të shtetit të Kosovës, puna nuk mbaron këtu sepse kjo kategori njerëzish do mbeten brenda partive politike dhe fuqia e tyre do të bëjë që të emërohen njerëzit e tyre besnikë kjo do jetë më e rrezikshme.

Morali në këtë rast duket se nuk ka asnjë funksion në politikën vendore. 

Nëse i marrim veçmas, shohim se të gjitha postet shtetërore, politikën, pushtetin gjyqësor, i kanë pushtuar njerëz të cilët kanë petkun partiak. Nëse klasa politike vërtetë do të ishte e bindur për të dekriminalizuar institucionet dhe shoqërinë shtrohet pyetja a është e mundur me këta njerëz që kanë kapur çdo institucion që mund të kishte luftuar këto dukuri që janë shndërruar në “normë” përgjigjja do të ishte , jo assesi nuk do të ketë as një dritë në fund të tunelit për të luftuar këto fenomene që po e gërryejnë çdo ditë e më shumë shtetin e ëndërruar të shumë brezave, arsyeja pse nuk do të munden është sepse, pjesa më e madhe e këtyre njerëzve që sot janë aktorë të fuqishëm politik duhet të largohen nga politika, administrata shtetërore, gjyqësori, shoqatat etj. Pyetja bëhet më e thjeshtë: A munden që këta njerëz të bëjnë një luftim të vetvetes? natyrshëm kjo është  paradoksale, qesharake, aq dhe hipokrite. Tashmë duket qartazi se askush nga këta nuk është i interesuar për këtë luftë, aktualisht mazhoranca e cila i ka votat, nuk mund ta bëjë këtë  sepse prejardhjen e këtyre dukurive e gjen në këto parti. Opozita, duket që të jetë përgjumur pasi që deri më tani nuk ka treguar ndonjë aksion me të cilin do ta dëshmonte vizionin dhe kontributin e tyre në këto procese shumë të rëndësishme për shtetndërtimin e Kosovës. U bë mëse një çerek shekulli që flitet se për ndërtimin e shtetit, po ashtu flitet e përflitet se krimi dhe korrupsioni janë sfida kryesore e konsolidimit të shtetit të Kosovës, çudia është se, kërkesat për të çrrënjosur këto dukuri tashmë nuk po ekziston as nga partitë opozitare, pra kjo është kthyer në një lojë fëmijësh, tashmë konstatim i përgjithshëm i opinionit të gjerë dhe i partnerëve tanë ndërkombëtar është se mungon  vullneti politik, po ashtu misioni i Eulex-it është në shkallën më të ultë të kredibilitetit dhe besueshmërisë pas aferave të cilat flasin për afera korruptive brenda vet misionit në proceset gjyqësore që ka qenë  përfshirë, si pasojë e kësaj  mund të thuhet se në  skenën politike po ashtu edhe në misionet vendore dhe ndërkombëtare për sundimin e ligjit nuk ekziston morali, se po të ishte ndryshe sot nuk do ishim në këtë diskutim. Mbesim me shpresë që peshqit e mëdhenj Eulexi të filloj t’i kap brenda vet këtij misioni dhe më pastaj të ndërmarr hapa sa më shpejt që t’i kap edhe peshkaqenët vendor që po i vjedhin (rrëmbejnë) të ardhmen shtetit dhe po i mbysin shpresën qytetarëve të stërvuajtur të Kosovës.