Pesë persona të vrarë është bilanci i një jave të rëndë krimi në Kosovë. Java e kaluar që nisi me një vrasje në qendër të Gjakovës, përfundoi me një vrasje edhe më të rëndë në një fshat të Podujevës, ku humbën jetën 3 persona, përfshirë autoren e cila dyshohet se pas krimit e qëlloi edhe veten.
Tre persona vdiqën, përfshirë autoren, në një vrasje të rëndë mbrëmë në Majac të Podujevës.
Një 31-vjeçare me inicialet A.G. dyshohet se pasi vrau I.B (burrë, 45 vjeç) – i cili vdiq në vendin e ngjarjes – e plagosi edhe gruan e axhës së saj, M.G (73-vjeçare), e cila gjithashtu vdiq më pas në QKUK, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.
Nuk mundi t’i përballojë plagëve as vetë autorja, e cila pasi qëlloi në drejtim të dy viktimave, dyshohet se e qëlloi edhe veten. Ajo vdiq gjithashtu në Qendrën Emergjente në QKUK.
Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se në vendin e ngjarjes ka sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja si dhe “prova të tjera materiale relevante për rastin”.
Prokuroria tha se po zhvillon hetime intensive lidhur me rastin, duke deklaruar fillimisht se “motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur”.
E rezervuar për të dhënë detaje për shkak të fazës preliminare të hetimeve, zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala tha sot në një prononcim për mediat se krimi dyshohet se ndodhi “për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre” (autores dhe 45-vjeçarit).
Policia e Kosovës bëri të ditur në raportin e saj ditor se burri u gjet pa shenja jete në një veturë, ndërsa dy gratë u gjetën me plagë të rënda brenda një shtëpie.
Ky krim i rëndë e çoi në pesë numrin e të vrarëve brenda javës së kaluar në Kosovë.
Një ditë më herët, të shtunën, një person u vra në orët e pasdites në fshatin Bokshiq të Klinës. I dyshuari J.J., i arrestuar në vendin e ngjarjes, Policia tha se është vëllai i viktimës.
Prokuroria Themelore e Pejës tha se kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në krim dhe prova të tjera relevante.
Ndaj të dyshuarit u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.
Java e kaluar kishte nisur me një vrasje të rëndë në qendër të Gjakovës. Një person u vra në rrugën “Vëllezërit Frashëri” dhe një tjetër mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në mëngjesin e hershëm të së hënës.
I dyshuari fillimisht ishte në arrati dhe Policia, që e kishte identifikuar, po e kërkonte, derisa ai dy ditë më pas vendosi të vetdorëzohej./Express

















