Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve vetëm në rajonin e Prishtinës

E publikuar: 15/11/2023 09:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia ka bërë të ditur se brenda 24 orëve janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje vetëm në rajonin e Prishtinës, ku dy persona janë arrestuar.

Dy raste kanë ndodhur në Fushë Kosovë, një në Gllogoc, një në Podujevë dhe rasti tjetër në Prishtinë. Nga të gjitha këto raste është gjinia mashkull ajo që dominon, dhe vetëm një rast i dhunës psiqike raportohet të ketë ndodhur nga gjinia e kundërt.

Një person në Fushë Kosovë dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.

“Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.

Më tej, policia bëri të ditur se në Fushë Kosovë, një grua ka raportuar se disa muaj më parë kishte pasur dhunë fizike nga ish bashkëshorti i saj, ndërsa në lidhje me rastin është intervistuar i dyshuari i lartcekur dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Rasti i dhunës në familje në Gllogoc ka ndodhur në një familje, ku një grua ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i tij.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit lirohet në procedurë te rregullt”, tha policia.

Në Podujevë, policia ka bërë të ditur se viktima mashkull ka raportuar se bashkëshortja e tij ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij.

“Lidhur me rastin, e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim te prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, bën të ditur policia.

Ndërsa, për dhunë në familje një tjetër person ka përfunduar në pranga në Prishtinë, pasi dyshohet se i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

“Të dyshuarit i është sekuestruar një armë për të cilën i dyshuari posedonte leje. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.