Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimin ndaj disa ndërmarrjeve për rritjen e çmimeve të disa produkteve, me fokus vajin. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë institucion, Selajdin Beqa, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Ai theksoi se gjatë pandemisë ishin publikuar lajme alarmante për mungesë të vajit, të cilat kishin krijuar tollovi për blerje në markete.
“Pas kalimit të një pandemie të tmerrshme, sulmit të Federatës ruse mbi Ukrainën, rritjes së furnizimit dhe të transportit nëpër tregje globale, kjo ndikoi edhe në tregun e Kosovës. Mbi bazën e kësaj ne kemi bërë shqyrtimin paraprak dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të hapim procedurë mbi disa premisa apo dyshime të caktuara mbi disa ndërmarrje”, ka thënë Beqa.
Ai njoftoi se janë 5 kompani të cilat dyshohen për marrëveshje të ndaluara, të cilat kanë fiksuar çmimin e vajit. Rasti është nën hetime nga Prokuroria e Shtetit.
“Në disa raste shteti mund të intervenoj, siç është edhe rasti te produktet bazike dhe ato të energjisë. Mirëpo, sa i përket çështjes së vajit shteti s’mund të intervenoj sepse dihet se si përcaktohen çmimet në treg, sipas parimit të ofertës dhe kërkesës”, ka thënë ai.