Pescara më pranë Serisë A, fiton finalen e parë me Trapanin

E publikuar: 05/06/2016 22:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ledian Memushaj është shumë pranë ngjitjes në Serinë A. Skuadra e Pescarës ku aktivizohet mesfushori i Kombëtares Shqiptare foti 2-0 me Trapanin në ndeshjen e parë finale të Play-off-it të Serisë B, dhe tashmë do të mjaftohet edhe me një humbje me një gol diferencë në ndeshjen e kthimit për të qenë pjesë e elitës së futbollit italian sezonin e ardhshëm. Në “Stadio Adriatico”, gjithcka nisi në ekulibër të plotë, por loja mori tjetër rrjedhë në minutën e 27 me daljen me karton të kuq të Scozzarellas pas dy të verdhave. Gjithsesi pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.

Fillimi i pjesës së dytë ishte me fat për Pescarën që mundi të zhbllokonte rezultatin me Benalin pas një aksioni të gjatë. Ledian Memushaj la fushën e lojës në minutën e 61-të, i zëvendësuar nga Verde. Në superioritet numerik vendasit vijuan sulmet në portën e Trapanit, derisa sulmuesi më i mirë i Pescarës, Lapadula, shënoi golin e 2-0. Gjithsesi Pescara për të festuar ngjitjen e në Serinë A duhet të administrojë avantazhin 2-0 në ndeshjen e kthimit që do të luhet më 9 qershor në Trapani.