Përvoja dhe eksperienca

E publikuar: 20/01/2021 16:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Promovimi i kandidatëve dhe programeve politike të partive tona është aq serioz, aq prekës. Gati akademik. Te ne, as prezantimet akademike nuk e kanë këtë pretendim shkencor, madje krahasuar me këto, ato tingëllojnë më tepër politike. Ndërsa, politika tingëllon akademike. Nëpër spote veç, jo në Parlament. Ndoshta sepse akademikët dhe stafi akademik nëpër universitete janë përzgjedhur nga politika?

E keni parë se edhe kur flasin për paqen, gjithçka i vjen era luftë? Edhe pse flasin për zhvillim, kush e di pse tingëllon si pasurim, si Eldorado, premtim për ata që e votojnë. Mësojmë ne nga përvoja? Po nga eksperienca? Kur i ka të dyja një kandidat, atëherë nuk ka nevojë as për debat!

‘Extra ofertë në Interex, extra lirë!’
E SPONSORUAR
SHIKO VIDEON
Kur lidhen me një emër dhe mbiemër të përveçëm, tregojnë fuqi, e mbase edhe forcë. Nuk i del kush para (e as prapa) atij kandidati i cili i ka që të dyja. Përvoja e mëson të ruhet nga të gjitha anët. Por, qysh e dimë të gjithë, shqiptari nuk di tutë. E thonë mitet, këngët, edhe pse përvoja nuk është se e ka vërtetuar shkencërisht. Edhe nëse e di, tutën pra, nuk e pranon pa i thënë direkt: po tutesh! Po tutesh me u përballë në debat.

E pranoi ose jo sfidën, parashoh se oratori do të bëhet i famshëm për këtë thënie po aq sa bashkë partiaku i tij për “forcën dhe fuqinë”. Kuptohet, aq sa përvoja politike, akademike dhe eksperienca institucionale e kandidatit, po aq ndoshta do të luajë rol edhe përvoja dhe eksperienca e publikut me kandidatët. Kjo lojë me fjalë, vështirë të menaxhohet sikur në spotin promocional me përqindjet e rritjes së pagave dhe pensioneve, apo ato të uljes së tatimeve. Krejt po na del shumë më komplekse sesa që tingëllonte, në fillim.

Për të sqaruar lexuesin: titullin për këtë shkrim e mora nga programi i njërës prej partive politike e cila pretendon me të drejtë pushtetin (duke u thirrur në përvojën) dhe e cila e sfidon partinë tjetër e cila pretendon se me duar në xhepa do të fitojë, edhe pse metoda e fitores me duar në xhepa nuk është dëshmuar aq e sigurt në të kaluarën. Këtë një parti dhe një lider tjetër mund të e thotë nga eksperienca.

Njëra parti e cila e kishte qeverinë në disa mandate dhe e krijoi këtë realitet politik, premton se në mandatin e ardhshëm do të bëjë ndryshime radikale. Tjetra, të cilës ia morën atë në ditën e pesëdhjetë, pretendon se qytetarët tashmë e kanë kuptuar. Nuk i përmendin duart në xhepa. Sidoqoftë, titulli nuk duhet të na bëjë të paragjykojmë se po lexojmë një shkrim kritik për kandidatin më me përvojë dhe më me eksperiencë. E çfarë ka të keq nga një kandidat me përvojë dhe eksperiencë?

Si i tillë, përdorimi i dy fjalëve me një kuptim, por në gjuhë të ndryshme brenda të njëjtës fjali, nuk paraqet ndonjë gabim në vete. Përfundimisht, të njëjtën fjalë kur e thua në anglisht, ka tjetër kuptim. Sidomos përvoja. Karriera e gjatë politike dhe akademike e kandidatit për kryeministër, e të cilat kundër-kandidati nuk i ka, pra as përvojën e as eksperiencën, mund të jetë përparësi, por edhe jo. I sfiduari nuk e ka as atë (përvojën) institucionale dhe as atë akademike, edhe pse merret si njëri nga liderët më të “lexueshëm” në vend.

Tash, këtu, nëse duam të jemi të sinqertë, të gjitha këto i ka lideri i një partie i cili as që është në listën për Parlament. Ai është politikani me përvojën më të gjatë, është edhe akademik, ishte edhe kryeministër…! Ka edhe kishte vija të kuqe, të cilat brenda nate bëhen të gjelbra, por sot nuk po flasim për të, për arsyen e thjesht se ai nuk është kandidat fare. E ka kuptuar se as eksperienca as përvoja nuk do të jenë përparësi në këto zgjedhje.

Pasi tashmë e morëm si kriter përvojën dhe eksperiencën, jo krejt me dëshirën tonë, është patjetër e rëndësishme se si qëndrojnë kandidatët e partive politike për kryeministër, e pse jo edhe për president, në raport me këto dy kritere – pra përvoja dhe eksperiencë. E kuptuam se kandidati i Partisë Demokratike i ka që të dyja, e madje edhe mund të thuhet se i ka që të tria, por nuk po shkojmë përtej këtyre. E ka edhe përvojën akademike, edhe politike e institucionale. Kjo e fundit nuk ishte përvojë, ishte eksperiencë. E ka edhe natyrën e qetë dhe të matur, përpos kur flet për liderët e dikurshëm të partisë. Skënderbeu sot do të thoshe se lirinë nuk na e solli ai, e kandidati e kundërshton. E solle ti, do të insistonte kandidati. Liria ka emër! Nuk e gjet askush midis nesh, lirinë. Na e sollën?

Është pra “çashtje” akademike edhe politike. Është edhe fushatë. Është krejtësisht serioze, edhe pse mund t’ju duket si barsoletë. A mund të jetë përvoja institucionale përparësi në një situatë kur të gjithë duam të e ndryshojmë realitetin? Po eksperienca?